` . (VIDEO) Qeveria miraton propozimin për rritjen e pagave në arsim - TV-SHENJA

(VIDEO) Qeveria miraton propozimin për rritjen e pagave në arsim

Rritja e pagave në arsim për 10%, kaloi edhe në seancën qeveritare. Pas shumë takimeve të pasuksesshme mes ministrit të Arsimit Arbër Ademi dhe kryetarit të Sindikatës për Arsim Jakim Nedellkov, u vendos që në takimin e fundit ku do të bisedohej për rritjen e pagave, të marrë pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev. Ky i fundit i propozoi Sindikatës që rritja e pagave të jetë për 10% dhe të filloj nga muaji prill i vitit të ardhshëm. Më pas, i njëjti informacion kaloi edhe në ekzekutiv.

Qeveria e RMV-së

“Kur të arrihet marrëveshje me Sindikatën e Arsimit, shkencës dhe kulturës, me këtë informacion, ngritja e përgjithshme e pagave nga prilli i vitit të ardhshëm, në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë, do të jetë 20%, duke pasur parasysh 2 rritjet paraprake për vetëm një vit, të dyja herët nga 5%”.

Këshilli i SASHK-ut një ditë më parë mbajti takim me përfaqësuesit rajonal të Sindikatës, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi.

Jakim Nedellkov deklaroi se sipas reagimeve të para, nuk janë të kënaqur nga kjo rritje e pagave për 10%. Poashtu ata kërkojnë që kjo rritje të jetë nga 1 janari dhe jo nga muaji prill. Ndërkaq, vendimin përfundimtar do ta thonë në fillim të javës së ardhëshme.

Në anën tjetër, Ministria për Arsim këtë rritje të pagave e konsideron historike, pasi siç thonë për një periudhë 2 vjeçare, ka pasur herë rritje të pagave për mësimdhënësit, që në total përbën një rritje për 20%.

Me fillimin e vitit të ri shkollor, SASHK mbajti grevë paralajmëruese, ku kërkuan rritje të pagave për 25%, përndryshe në tetor do të vazhdonin grevën e përgjithshme. Afati kohor i caktuar nga ata  ishte që të gjindet zgjidhje deri në fillim të tetorit, mirëpo ata i dhanë ministrisë edhe një javë kohë.

Ajnur Bafqari /SHENJA/