` . (VIDEO) Qeveria me masa të reja kundër ndotjes së ajrit - TV-SHENJA

(VIDEO) Qeveria me masa të reja kundër ndotjes së ajrit

Në mbledhjen e fundit Qeveria ka sjellë disa vendime për parandalimin e ndotjes së ambientit në prag të sezonit të ngrohjes. Zëvendës-ministri i Ambientit, Jani Makraduli njoftoi sot se janë ndarë mjete për ndërrimin e pajisjeve për ngrohje në disa çerdhe, shkolla fillore dhe të mesme, institucione shëndetësore, ku janë pranuar aplikimet e 19 komunave. Gjithashtu ai tha se në 16 komuna do të mbështeten projekte për efikasitet energjetik, ndërsa në tetë komuna do të ndahen mjete për sipërfaqe të reja të gjelbëra. Para fillimit të sezonit të ngrohjes, Qeveria do të subvencionojë edhe zëvendësimin e tërësishëm të sistemeve të ngrohjes në amvisëri nga ata me dru në pajisje të klimave inventer, duke mbështetur edhe deri në 100 përqind të shumës. Risi do të jetë se subvencionimi do të bëhet përmes vauçerëve dhe jo sipas radhës së aplikimeve.

Jani Makraduli

“Procedura “kush vjen i pari, i pari shërbehet”, vlerësojmë se nuk është e drejtë, andaj mendojmë se prioritet do të kenë zonat të cilat kanë emitime më të larta të ndotjes në stinën e dimrit dhe të ashtuquajturat kategori të rënduara. Për këtë moment më e rëndësishme është të sillet zgjidhja ligjore në formë vauçeri, me të cilën qytetarët do të fitojnë shumën sipas zgjedhjes së tyre që të jetë e liruar e gjithë procedura dhe atje të intervenohet me ndryshim. Vendimin për nivelin e mjeteve do ta sjellin institucionet në kuadër të kompanisë ELEM dhe kjo pritet të ndodhë në kohë relativisht të shpejtë”.

Makraduli njoftoi se me iniciativë të Lëvizjes qytetare “Eko Guerilla” Qeveria do të financojë ndërrimin e oxhaqeve të 30 kompanive private në rajonin e Pollogut të cilat deri më tani kanë kontribuar në ndotjen e ajrit.


“Këtë betejë duhet ta bëjmë të gjithë bashkë edhe komunat edhe institucionet shtetërore, shoqatat qytetare dhe bashkësia afariste dhe në vazhdimësi duhet të bashkëpunojmë. Ka shumë sfida në qytetin e Tetovës. Pasi bëhet fjalë për qytet me ndotje serioze që ekziston sipas instrumenteve matëse, ne pikërisht me iniciativë të shoqatës Eko Guerilla do të investojmë në rajonin e Pollogut në 30 kompani private, por që ndotin pasi mbetjet e prodhimit të tyre e shfrytëzojnë për ngrohje, ne do të intervenojmë me filtra modern të ogjaqeve që ata i shfrytëzojnë”.

Për të gjitha projektet e mbështetura nga ana e Qeverisë në kuadër të projektit për luftë kundër ndotjes së ajrit, do të zhvillohen edhe kontrolle dhe inspektime si nga institucionet shtetërore dhe lokale për të parandaluar çdo lloj keqpërdorimi të mjeteve apo moszbatim të masave të miratuara.

Arben Zeqiri /SHENJA/