` . (VIDEO) Qeveria lëshon pe, autoshkollat ndalin protestat – TV-SHENJA

(VIDEO) Qeveria lëshon pe, autoshkollat ndalin protestat

Pas protestave të autoshkollave për gati një muaj me radhë kundër ndryshimeve të Ligjit për siguri në komunikacion, Qeveria ka lëshuar pe dhe ka shtyrë implementimin e nenit kontestues për një vit. Xhemil Arifi, pronar i Autoshkollës “Gold D”, nga Tetova, tha se presin vendimin e Qeverisë që të rifillojnë sërish me punë.

“Ky propozim ka kaluar dy komisione në Qeveri dhe pritet që ditën e martë të votohet dhe pastaj të kaloje në Parlament. Deri sa vazhdojnë bisedimet ne përkohësisht I kemi ndaluar protestat. Në rast se nuk realizohet kjo kërkesë e jona, atëherë do të vazhdojmë me protesta të mëtutjeshme”, tha Xhemil Arifi.

Ai më tej tha se ata nuk do të ndalen deri sa tërësisht të mos largohet neni kontestues, madje presin që Gjykata Kushtetuese të vendos në favor të tyre.

“Presim që neni 284 të rrëzohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese sepse është antikushtetues, antiligjor dhe besoj se Gjykata Kushtetuese do ta rrëzoje këtë nen dhe atëherë do të kryhet kjo punë ashtu siç duhet, për shkak se tani për tani kemi probleme me MPB-në se ata janë të vendosur dhe mbrojnë qëndrimet e veta”, theksoi Arifi.

Përfaqësuesit e autoshkollave kundërshtojnë nenin 284 nga Ligji i ri për siguri në komunikacion. Sipas këtij neni, autoshkollat në veturat e tyre duhet të instalojnë kamera gjatë trajnimit të kandidatëve, gjë e cila sipas instruktorëve është e palogjikshme dhe në kundërshtim me çdo standard evropian.

Enis Murtezi /SHENJA/


Qeveria lëshon pe, autoshkollat ndalin protestat by tvshenjaofficial