` . (VIDEO) Qeveria i jep tjetër shans Jugohromit - TV-SHENJA

(VIDEO) Qeveria i jep tjetër shans Jugohromit

Ndotësi më i madh i ajrit në rajonin e Pollogut, kombinati Jugohrom, merr edhe një shansë nga Qeveria për vendosjen e filtrave dhe rifillimin e punës. Por, Jugohromi në opinion  njihet si kombinat që disa herë ka shkelur afatet e vendosjes së filtrave dhe ka vazhduar punën. Në vitin 2005 Qeveria e Maqedonisë miratoi ndryshime ligjore, ku ndotësit duhet të plotësonin standardet ekologjike me afat deri më 1 prill të vitit 2014, ndërsa “Jugohrom” disa ditë para skadimit të afatit kërkoi më shumë kohë nga Qeveria, e cila vendosi afatin e fundit për plotësimin e standardeve ekologjike deri më 31 tetor 2014. Pas kësaj date, “Jugohrom”-it i’u dhanë edhe disa afate të tjera, mirëpo kombinati vazhdoi punën deri më 2 nëntor të vitit të kaluar, kur Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor solli vendim të ndërpritet puna në të gjitha furrat për shkak të mosrespektimit të afatit të fundit për vendosjen e filtrave. Ndërsa, sot në Qeveri zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev nënshkroi memorandum mirëkuptimi me drejtorin e këtij kombinati, Vasko Skenderovski dhe kryetarin e organizatës Sindikaliste të “Jugohrom”-it, Bajram Amiti. Në bazë të këtij memorandumi, parashihet që fabrika të rifilloj me punë pasi të vendosen filtrat dhe të përmbush standardet ekologjike. Angjushev sot deklaroi se fabrika do të vazhdojë punën, se pronarët do të investojnë për ndërtimin e filtrit, ndërsa punëtorët e pushuar nga puna, fitojnë garancitë se do të rikthehen në vendet e punës.

“Qeveria do të servisoj të gjitha nevojat e kompanisë për të përfunduar investimin, me çka do të garantohet siguri për punëtorët, siguri për investitorin, por edhe rifillim i kompanisë e cila ka vend të rëndësishëm në ekonomi. Rifillimi do të realizohet pas implementimit të filtrave, ndërsa pronari nuk do të ketë pengesa nga Qeveria, por do të ketë garancë siguri juridike që të mund të investoj”, ka deklaruar Koço Angjushev, Zv/kryeministër për çështje ekonomike.

Ndërkohë, drejtori i Jugohromit, Vasko Skenderovski, premtoi edhe njëherë se kombinati do të bëhet me filtra.

“Nuk duhet të ketë asnjë frikë se ‘Jugohrom’-i do të nis punën pa filtra. Përkundrazi, ky është një motiv shtesë që sa më shpejtë të vendosim filtrat, që do të shkojë në etapa duke filluar nga furrat 7 dhe 8”, u shpreh Vasko Skenderovski, Drejtor i Jugohromit.

Tetova vite me radhë ballafaqohet me problemin e ajrit të ndotur. Është qyteti më i ndotur në vend, ndërsa shumë herë është radhitur në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Një ndër shkaktarët kryesor për këtë ndotje është kombinati Jugohrom.

Teuta Buçi /SHENJA/

Postime të Ngjajshme