` . (VIDEO) PSP me gjashtë lëndë të reja, të dyshuar Gruevski, Stavrevski, Osmani… – TV-SHENJA

(VIDEO) PSP me gjashtë lëndë të reja, të dyshuar Gruevski, Stavrevski, Osmani…

Nikolla Gruevski, Zoran Stavreski, Bujar Osmani, Mile Janakievski, Stevçe Jakimovski, janë vetëm disa nga emrat e përmendur në gjashtë lëndët e reja të hapura nga Prokuroria Speciale Publike, raporton SHENJA.

“Dhurata”, “Propaganda”, “Dizajn”, “Harmonia”, “Stacionet bazë” dhe “Pacienti”, janë emrat e lëndëvetë reja, ndërsa dyshimet janë se buxheti i shtetit është dëmtuar për 80 milionë euro.

Në lëndën “Dhurata”, I dyshuari Zoran Stavreski, ministër i financave dhe Mile Janakievski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve, së bashku me të dyshuarin Kërste Milladinov, drejtor i Resurseve Energjetike të Maqedonisë, në periudhën nga janari2012- qershor 2014, me vetëdije kanë shfrytëzuar pozicionin zyrtar dhe kompanisë ruse OAD “Strojtransgas” nga Moska i kanë paguar rreth 33 milionë euro për ndërtimin e gazësjellësit në Maqedoni, edhe pse sipas PSP-së, projekti ka kushtuar shumë më pak. Me veprimet e tyre, prokuroria speciale dyshon se ata kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për rreth 33 milionë euro.

Në lëndën “Propaganda” i dyshuar kryesor është ish kryeministri Nikolla Gruevski. Sipas PSP, Gruevski së bashku me Sekretarin e Qeverisë, Kirill Bozhinovski dhe tetë persona tjerë kanë formuar një grup, me qëllim që idetë dhe veprimet e VMRO-DPMNE-së të shfaqen sa më shumë nëpër media, sidomos ato lokale. Për këtë qëllim, thonë nga PSP, nga buxheti i shtetit, prej viti 2010 deri në vitin 2015 janë paguar mjete në vlerë prej 30 milionë eurove me qëllim të përkrahjes së politikave të VMRO-DPMNE-së dhe aktiviteteve të kësaj partie. Prokuroria dyshon se i dyshuari Nikolla Gruevski, ka sjellë vendim që VMRO-DPMNE të merr pjesë në pronësinë dhe të organizojë politikën rekadtuese të shtatë televizioneve lokale dhe një radio stacioni, gjë që sipas PSP-së,është nëkundërshtim me ligjet.

Lënda “Dizajn”, ka të bëjë me furnizimin e autobusëve dy katëshe. Sipas PSP-së, raporton SHENJA, të dyshuar janë ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski, Snezhana FIlipovska Pavleska, kryetare e Komisionit për zbatimin e furnizimeve publike, Igor Janushev dhe Juliana Jankullovska Atanasova, si anëtar të Komisionit për Furnizime Publike. Sipas PSP-së të dyshuarit kanë keqpërdorur pozitat zyrtare duke i mundësuar operatorit “Juntog”, të fitoj tenderin e shpallur për furnizime me autobus edhe përkundër mangësive në dokumentacion. Kështu për 202 autobusë dy katësh, është dëmtuar buxheti i shtetit në vlerë prej 5 milionë euro.

Në lëndën “Pacienti”, ekziston dyshimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve të personave zyrtar dhe përgjegjës në procedura për furnizime publike për realizimin e punimeve ndërtimore në më shumë Institucione shëndetësore në tërë shtetin. Sipas PSP-së,në hetimjanë përfshirë 15 persona mes të cilëve edhe ish ministri Bujar Osmani. Në më tepër raste, sipas PSP, Komisioni për Furnizime Publike pranë Ministrisë së Shëndetësië, ka vendosur të zgjedh një kompaninë për të kryer punimet ndërtimore, edhe pse kompania e njëjtë nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara në tender. Edhe pse i njoftuar me mangësitë, ministri i atëhershëm i shëndetësisë nuk e ka shfuqizuar tenderin dhe ka zgjedhur operatorin duke i shkaktuar dëm buxhetit të Maqedonisë.

Enis Murtezi /SHENJA/