` . (VIDEO) Prokurorja Stefanova pesë orë dëshmoi për rastin “Zhvatja” - TV-SHENJA

(VIDEO) Prokurorja Stefanova pesë orë dëshmoi për rastin “Zhvatja”

Pas zëvendëses së prokurores speciale Elizabeta Josifovska, sot versionin e saj të rastit “Zhvatja” e dha edhe prokurorja e PSP-së Lile Stefanova. Ajo u iku gazetarëve edhe gjatë gjykimit të djeshëm në rastin Titanik por sot pas marrjes maratonike në pyetje prej më shumë se pesë orësh, Stefanova tha se ia ka treguar prokurorisë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin të gjitha dhe se në interes të hetimit nuk guxon të shpalosë tjera detaje nga ajo çfarë ka folur me prokuroren Ivana Trajçeva.

Lile Stefanova, prokurore

“Kam dhënë deklaratë në cilësinë e dëshmitarit rreth pesë orë. Gjithçka që di rreth këtij rasti e kam thënë para prokurorit kompetent. Duke marrë parasysh statusin tim të dëshmitarit, dhe fshehtësinë e hetimit, nuk mund të japë asnjë deklaratë tjetër për atë që kam folur në prokurori. Gjithçka që kam patur të them kam thënë në prokurori dhe do të shfrytëzohet në hetim. Nuk mund të japë deklarata të tjera”

Në pyetje do të merret edhe Katica Janeva, por nuk dihet data e saktë. Ende nuk dihet nëse pas publikimit të bisedave të përgjuara nga gazetari italian Laris Gaiser, ajo do të mbetet në cilësinë e dëshmitarit, apo të dyshuarit.

“Zhvatja” mori pikë kthese në opinion kur media italiane “La Verita”, publikoi edhe video edhe audio nga korrupsioni disa milionësh, ku shihen Boki 13, Zoki Kiçeec dhe Jordan Kamçev. Në bisedat e përgjuara dëgjohet qartë edhe zëri i prokurores speciale Katica Janeva e cila e siguron Kamçevin se gjithçka do të jetë në rregull për lirimin e tij nga përndjekja penale dhe burgu, ndërsa Boki 13 ia tregon planin Kamçevit se si do ta kamuflojnë këtë në sy të opinionit.

Janeva pas hapjes së hetimit dhe pas paralajmërimit për dorëheqje doli me konferencë në të cilën mohonte të ketë çfarëdo lidhje me rastin dhe siguronte se Boki 13 ia kishte keqpërdorur emrin. Pastaj doli edhe zëri i saj i cili qartë dëgjohet teksa flet me Orce Kamçevin. Janeva nuk e mohoi se zëri në celular është i saj, por tha se ka folur me Kamçevin për ta bindur të bëhet dëshmitar në një rast tjetër kundër funksionarëve aktual dhe të kaluar, e jo për ti ndihmuar në rastin “Perandoria”.

Prokurorja Lile Stefanova e lëndës “Perandoria” ditë më parë akuzoi se të gjithë vendimet me të cilat i është lehtësuar pozita të dyshuarit kryesor në rastin “Perandoria” Orce Kamçev, i ka marrë Katica Janeva. Stefanova madje pati zbuluar se Janeva u ka dhënë urdhër asaj dhe Burim Rrustemit që të ndalin hetimin për “Perandorinë” dhe të dyshuarit ti kursejnë nga burgu, dhe të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me prokurorët e rastit “Banka Postare” ku poashtu dyshohen disa persona.

Për momentin, Prokuroria për krim të organizuar në rastin “Zhvatja” në listën e të dyshuarve i ka vetëm dy persona, që janë në paraburgim, Boki 13 dhe Zoran Kiçeec. Dyshimet e prokurorisë janë se ata kanë marrë 1,5 milionë euro nga biznesmeni Orce Kamçev për tia lehtësuar procedurën hetimore për pastrim parash, ndërsa duhej të merrnin edhe 4,5 milion euro të tjera.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/