` . (VIDEO) Prokuroria i reagon Pendarovskit, kundërpërgjigjet presidenca - TV-SHENJA

(VIDEO) Prokuroria i reagon Pendarovskit, kundërpërgjigjet presidenca

Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut thotë se nuk do të lejoj diskreditimin e prokurorëve dhe përzierjen në procedurat penale nga ana e politikanëve. Duke ju referuar deklaratës së një ditë më parë të shefit të shtetit Stevo Pendarovskit, nga prokuroria përmes një komunikate për media shkruajnë se deklarata e presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut se mbështet plotësisht Prokurorinë Publike dhe se do ti përdor të gjitha mundësit kushtetuese dhe ligjore që ta mbroj nga presionet, do të ishte reale sikur tu bënte thirrje deputetëve që ta votojnë Ligjin për Prokurorinë Publike dhe sikur të jepte mbështetje për përforcimin e kapaciteteve të Prokurorisë për një luftë më efikase kundër krimit dhe sundimit të së drejtës.

Prokuroria Themelore Publike

“Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut njofton opinionin se për rastin në fjalë, po veprohet në mënyrë joselektive sipas planit të hartuar të hetimit dhe se të gjithë të involvuarit në vepër penale do të merren në pyetje dhe do të përgjigjen në bazë të ligjit. Prokuroria Publike edhe njëherë potencon se rënia pre e presioneve politike dhe përzierja në punën e Prokurorisë, dëmton procedurën hetimore dhe sigurimin e dëshmive”.

Ndërsa nga kabineti i presidentit i përgjigjen prokurorisë duke theksuar se  presidenti i shtetit në asnjë moment nuk ka bërë diskreditim të Prokurorisë Publike, e aq më pak ekziston qëllim për sulm të institucioneve dhe përzierje në procedura penale, të cilat janë në vazhdimësi.

Stevo Pendarovski, president i RMV-së

“Potencojmë se presidenti Pendarovski në fjalën e tij ka shprehur mbështetje të plotë ndaj institucioneve kompetente, posaçërisht prokurorisë dhe gjyqësorit dhe ka theksuar se do të bëjë gjithçka që ti mbroj ata nga shtypje eventuale ndaj realizimit të hetimit dhe zbardhjes së plotë të rastit  ‘Zhvatja’”.

Më tej në komunikatë thuhet se kabineti i presidentit Pendarovski edhe njëherë thekson se është e nevojshme përfundim efektiv, i shpejtë dhe i tërësishëm i hetimit të rastit “Zhvatja”, duke respektuar duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.

Ndryshe, një ditë më parë presidenti Stevo Pendarovski përmes një prononcimi për media kërkoi zgjidhje urgjente të rastit “Zhvatja” dhe nxjerrjen para ligjit të të gjithë personave të involvuar. Ai më tej tha se askush nuk duhet të mbrohet, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për prokuror, biznesmen apo politikan.

Emine Ismaili /SHENJA/