` . (VIDEO) Pranim - dorëzimi i lëndëve, anulohen të gjitha rastet gjyqësore të PSP-së - TV-SHENJA

(VIDEO) Pranim – dorëzimi i lëndëve, anulohen të gjitha rastet gjyqësore të PSP-së

Rrjedha e procedurës për pranim-dorëzimin e  materialeve nga Prokuroria Speciale Publike, në Prokurorinë Themelore Publike, shkaktoi anulimin e të gjitha seancave të sotme gjyqësore të lëndëve të PSP-së. Në rastin “Titanik 3”, prokuroja e speciales Fatime Fetai, kërkoi nga gjykatësja Marija Kletniçka për shtyrje të gjykimit, pasi siç u shpreh përfundimi i procedurës së transferimti të lëndëve, do të tregoj se kush do të udhëheq këtë lëndë, nëse do të vazhdoj ajo apo do të caktohet prokuror tjetër.

Fatime Fetai

“Siç e dini është e palakmueshme situata në të cilën ndodhemi.  Për herë të parë PSP-ja kërkon anulim të një procesi gjyqësor. E kemi të njohur se është në procedurë dorëzimi i lëndëve Prokurorinë Publike. Me vetë këtë lënda është në kompetencë të Prokurorisë Republikane, nga ku duhet të vendosin se kush do të vazhdoj ta udhëheq lëndën”.

Në rastin “Titanik 3”, të akuzuar janë funksionarët e BDI-së Ejup Alimi dhe Ismet Guri të cilët ngarkohen me akuzën se si anëtarë të Komisionit zgjedhor komunal në Çair në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë shkatërruar materialin zgjedhor.

Për të njejtat arsye u anulua edhe rasti “Titanik”. Prokurorja speciale Lile Stefanova u shpreh se kjo lëndë, por me siguri edhe të gjitha lëndët e tjera të tyre, do të anulohen, derisa të vendoset se si do të ndahen prokurorët për t’i udhëhequr lëndët.

Në këtë rast janë gjithsej 20 të dyshuar përfshirë ish-kryeministrin e arratisur Nikolla Gruevski, Gordana Jankulloskën, Mile Janakieskin, Ilija Dimovski, të cilët dyshohen për bashkëpunim kriminal, shkelje të së drejtës së votës, shkelje të lirisë së votuesve për të votuar, ryshfet në zgjedhje dhe votim, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të financimit të fushatës zgjedhore.

Po ashtu pati anulim edhe seanca për rastin “Tortura”, e cila ka të bëjë me mënyrën e privimit prej lirisë të liderit të “Bashkuar për Maqedoninë”, Lube Boshkovski.

Gjatë një prononcimi për media Stefanova deklaroi se nuk mund të tregoj detaje rreth procesit që po zhvillohet në PSP.

Lile Stefanova

“Për momentin në PSP po bëhet pranim dorëzimi i lëndëve, kaq mund të ju them. Se si realizohet procedura, duhet të pyesni në Prokurorinë Republikane dhe në Prokurorinë Speciale. Se a do të vazhdoj ti udhëheq lëndët, do vendos prokuroria publike”.

Ndërkaq një ditë më parë PSP njoftoi se  është e gatshme që menjëherë t’i dorëzojë lëndët së bashku me të gjitha procesverbalet dhe provat, të cilat i ka kërkuar Prokuroria Themelore Publike. Nga Prokuroria Speciale thanë se për detajet e tjera rreth pranim-dorëzimit do ta njoftojnë opinionin në mënyrë plotësuese.

Emine Ismaili /SHENJA/