` . (VIDEO) Përplasje për vërejtjet e Venedikut. Osmani: Ligji i gjuhëve nuk do të ndryshojë - TV-SHENJA

(VIDEO) Përplasje për vërejtjet e Venedikut. Osmani: Ligji i gjuhëve nuk do të ndryshojë

Do të respektohen rekomandimet e Komisionit të Venedikut, por Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk do të jetë subjekt ndryshimi. Kështu ka theksuar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili tha se përmes planeve të mira aksionare do të krijohen kapacitete që dygjuhësia të implementohet më lehtë dhe të mos shkaktojë probleme në gjyqësor. Një gjë e tillë, siç tha ai, mund të realizohet përmes krijimit të kapaciteteve në gjyqësor dhe administratë me qëllim që qytetarët shqiptarë, sipas tij, të mund ta përdorin gjuhën e tyre në komunikim me institucionet shtetërore dhe të kuptohen nga shteti.

Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për çështje evropiane
“Do t’i respektojmë rekomandimet e Komisionit të Venedikut, ndoshta ka interpretime të ndryshme, për mënyrën se si do të implementohet. Komisioni i Venedikut thotë, nuk guxon që për shkak të mungesës së kapaciteteve dygjuhësia të shkaktojë probleme të caktuara në gjyqësor. Për këtë arsye, qasja jonë do të jetë që përmes planeve të mira aksionare të krijojmë kapacitete me qëllim që dygjuhësia të implementohet më lehtë”

I pyetur nëse qëndrimet e ndryshme me përfaqësuesit e LSDM-së, lidhur me këtë çështje, nënkuptojnë probleme brenda koalicionit, Osmani u përgjigj se qëndrimet e tyre janë të ngjashme.

Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për çështje evropiane
“Unë mendoj se qëndrimet janë të ngjashme nëse e keni dëgjuar deklaratën e fundit të kryeministrit dhe të zv/kryeministres, janë qëndrime të njejta me qëndrimet tona, se nuk do të ketë hapje të çështjes së gjuhës, siç nuk do të ketë hapje të Marrëveshjes së Prespës, të Marrëveshjes së Bullgarisë edhe me gjuhën do të jetë njëjtë”
Duke komentuar këto çështje, kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se do të respektohen rekomandimet e Komisionit të Venedikut, megjithatë e ka bërë të qartë se ndryshimet e kërkuara nuk do të prekin themelet mbi të cilat janë ndërtuar marrëdhëniet ndëretnike. Ndërkohë, kreu i VMRO-së ka deklaruar se partia e tij do të dorëzojë propozime për ndryshime në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Ajnur Bafqari /SHENJA/