` . (VIDEO) Përmbaruesit ia bllokojnë xhirollogarinë komunës së Gostivarit - TV-SHENJA

(VIDEO) Përmbaruesit ia bllokojnë xhirollogarinë komunës së Gostivarit

Për një borxh ndaj të punësuarve në brigadën e zjarrfikësve të mbetur nga vitet 2015, 2016 dhe 2017, komuna e Gostivarit nga sot ka xhiro-llogari të bllokuar. Edhe pse me vendim qeverie përmbaruesit nuk kanë të drejtë të kryejnë procese përmbaruese, nga Komuna e Gostivarit thonë se kjo ndodh kur e gjithë bota është në luftë me pandeminë nga Kovid 19. Siç thuhet në komunikatën e lëshuar nga komuna, kryetari Arben Taravari ka akuzuar se urdhëri për këtë situatë ka ardhur nga një subjekt politik.
Komuna e Gostivarit
“Urdhri për ta lënë në këtë periudhë Gostivarin pa para, ka ardhur përmes direktivave të një subjekti politik në Gostivar, të cilët gjatë viteve derisa udhëhiqnin me pushtetin lokal, Gostivarin e ngulfatën me borxhe. Përgjatë qeverisjes së saj, partia në fjalë, u ka paguar zjarrfikësve në Gostivar paga 20 për qind më të ulta sesa parashe ligji”
Nga kabineti i Taravarit kanë thënë se edhe përskaj marrëveshjes me zjarrfikësit që borxhi të pranohet dhe t’u paguhet në këste, partia u jep urdhër militantëve të saj të punësuar në Njësinë Territoriale Kundër Zjarreve në Gostivar, që procedura të shkojë në përmbarim.
Komuna e Gostivarit
“Shuma që duhet t’u paguhet zjarrfikësve është rreth 100 mijë euro dhe do të jetë vështirë që këto para të grumbullohen brenda disa ditësh kur qytetarët nuk paguajnë tatime për shkak të gjendjes që mbretëron në vend. Pavarësisht kësaj, unë u them qytetarëve të jenë komod, sepse do ta tejkalojmë edhe këtë situatë edhe pse ndodh në një periudhë shumë të rëndë që një institucioni t’i bllokohet xhiro-llogaria, dhe kjo është skandaloze”
Për situatën e krijuar kryetari Taravari e ka njoftuar edhe kryeministrin teknik, Oliver Spasovski, i cili ka thënë se nuk ka njohuri për këtë çështje.

Arben Zeqiri /SHENJA/