` . (VIDEO) Pendarovski: “mini-shengeni” duhet të përfshijë edhe Kosovën - TV-SHENJA

(VIDEO) Pendarovski: “mini-shengeni” duhet të përfshijë edhe Kosovën

Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi dhe stabiliteti i këtij rajoni, ishin temat në të cilat u fokusuan krerët e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, Stevo Pendarovski dhe Aleksandër Vuçiq, gjatë takimit që zhvilluan sot në Beograd. Pendarovski, në konferencën e përbashkët për media, të mbajtur pas takimit, tha se vizita e tij në Serbi, është edhe një konfirmim për raportet e miqësisë së mirë dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë mes dy vendeve.  Ai deklaroi se me homologun e tij, kanë diskutuar edhe për iniciativën franceze për reformim të metodologjisë së zgjerimi dhe ka theksuar se për vendin nuk ekziston alternativë tjetër e qëndrueshme, përpos anëtarësimit të plotë në BE.  Pendarovski ka shtuar se e gëzon fakti që edhe nga Shkupi edhe nga  Beogradi, përcjellin porosi se BE nuk duhet të harroj Ballkanin Perëndimor,  perspektiva e së cilit për anëtarësim në BE, është garanca e vetme për stabilitet.

Stevo Pendarovski, President i RMV

“Integrimi evropian i rajonit wshtw mwnyra më e mirë që do të mundësoj transformim demokratik të shoqërive tona, prosperitetit dhe bashkëpunim të përforcuar rajonal. Dhe pikërisht kur flas për stabilitetin rajonal, do të doja t’ju informoj se kemi diskutuar edhe për disa aspekte nga dialogu Beograd-Prishtinë. Kuptohet, e shfrytëzova rastin që të përsëris qëndrimet e mia, duke shprehur pritjet se me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe veçanërisht partnerët tanë perëndimor, do të krijohen kushte për përparim serioz, por edhe për zgjidhje përfundimtare të kësaj çështje.”.

Ndërkohë, Vuçiq duke folur në temën e integrimeve, tha se nuk është kontestuese ajo se të gjithë presim që të bëhemi anëtare të BE-së, por shprehi pasigurinë e tij se Brukseli nuk di se çfarë do të bëjë me rajonin. Ai ka komentuar edhe iniciativën “Mini-Shengen”, për të cilën tha se është krenar për marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

Aleksandër Vuçiq, President i Serbisë

“E di se nuk është më e popullarizuar, por mendoj se është ardhmëria. Jo vetëm për rajonin tonë. Është zgjedhje e mençur të mbijetosh në situatë kur nuk dihet se si shkon Evropa. Jo për t’u ofruar alternativë, sepse nuk është për krahasim, por ne kemi detyrim ta bëjmë vet atë që mundemi. Për këtë jam i kënaqur nga iniciativa dhe jam i bindur se ajo do të sjell prosperitet për këto vende dhe kombe”.

 

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Beograd, Pendarovski takoi edhe kryeministren serbe, Ana Brnabiq. Gjatë takimit, Pendarovski riafirmoi interesin për intensifikimin e mëtutjeshëm të raporteve të përgjithshme bilaterale të dy vendeve, si dy shtete fqinje dhe miqësore të cilat i ndërlidh një trastitë e gjatë historike dhe kulturore, ndërsa ndajnë edhe vizionin për ardhmëri të përbashkët me BE-në.

Teuta Buçi /SHENJA/