` . (Video) Pas takimit me Bejlin, Ahmeti ndryshon qëndrimin për zgjedhjet - TV-SHENJA

(Video) Pas takimit me Bejlin, Ahmeti ndryshon qëndrimin për zgjedhjet

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ndryshon qëndrimin e tij kategorik rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve. Ndryshimi i qëndrimit të tij vjen pas takimit disa orësh me ambasadorin amerikan, Xhes Bejli, pas të cilit Ahmeti deklaroi se në qoftëse ndonjëra prej palëve nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos nuk e pranon 24 prillin si datë kur duhet të mbahen zgjedhjet, atëherë data mund të shtyhet.

“Me rëndësi është që Marrëveshja e arritur nuk mund të cënohet pa pjesëmarrjen e të gjitha palëve. Duhet koncensus, siç është arritur me koncensus dhe nëse dikush mendon se duhet të ndryshohet po ashtu mund të ndryshohet. BDI është i përkushtuar që zgjedhjet të jenë të besueshme për të gjitha palët”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti tha se në takim gjithashtu u diskutua rreth faktit që institucionet në vend duhet me përgjegjësi më të lartë të kryejnë detyrimet që dalin nga këto marrëveshje, të gjitha institucionet të jenë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm mbi përmbajtjen e kësaj marrëveshje.

“Mbetet detyrë dhe përgjegjësi e KSHZ-së që me përkushtim të punojë për të krijuar një proces të besueshëm kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të gjithë partitë politike të kryejnë detyrat e veta. Gjithashtu me rëndësi është që ky proces të jetë i pranueshëm për të gjitha palët dhe të gjitha palët të kenë përgjegjësi në drejtim të realizimit të marrëveshjes”, tha Ahmeti.

Kujtojmë se kohë më parë, kreu i BDI-së, përpara mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të BDI-së, deklaroi se 24 prilli është data më e arsyeshme dhe e pranueshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Ai tha se shtyrja e datës së zgjedhjeve, ndikon në humbjen e datës së Samitit të NATO-s, pastaj koha e pamjaftueshme e organizimit institucional për menaxhim e dyndjes së refugjatëve, si dhe respektimi i agjërimit.

Teuta Buçi /SHENJA/

Postime të Ngjajshme