` . (VIDEO) Pas festave, rikthehen rastet e PSP-së – TV-SHENJA

(VIDEO) Pas festave, rikthehen rastet e PSP-së

Pas festave ortodokse rikthehen dhejtëra raste të PSP-së përfshirë këtu edhe rastin Sopoti. Vetëm deri në fund të këtij muaji, PSP do del të mbrojë akuzën e lëndëve të saj para gjykatës 13 herë.
Të martën do gjykohet lënda ‘Trust’, e cila për momentin është lënda më dinamike me më së shumti seanca afër njëra tjetrës. I akuzuar kryesor në këtë lëndë është biznesmeni Sead Koçan. Për të martën janë paraparë edhe rastet ‘Spiuni’ dhe ‘Transportuesi’ për çmimet astronomike që i ka bërë kryetari i Manastirit, Vlladimir Talevski, për transportimin e nxënësve në shkolla.
Dita e mërkurë është e rezervuar vetëm për Nikolla Gruevskin. Do gjykohet rasti TNT për rrënimin e objektit të familjes Canovski që sipas akuzës, është porositur nga ish kryeministri Nikolla Gruevski ndërsa është ekzekutuar nga ish kryetari i Gazi Babës, Toni Trajkovski, dhe inspektorja Elizabeta Najdovska.
Të enjten përsëri do vijojë gjykimi kundër kryetarit të Manastirit Vlladimir Talevski për rastin ‘Transportuesi’, ndërsa të premten, më 26 janar, në gjykatë do të paraqiten tre të akuzuar që kanë zhvilluar tender për kompaninë ELEM, për blerjen e një softueri i cili asnjëherë nuk është vënë në funksion.
Të hënën e ardhshme përsëri java do të nisë me gjykimin e rastit ‘Transportuesi’ të Vlladimir Talevskit, ndërsa të martën do vijojnë rastet ‘Toplik’, ‘Trust’ dhe ‘Tanku’ ku përsëri Nikolla Gruevski paraqitet si i akuzuar.
Gjykatësja e lëndës “Transportuesi” si duket dëshiron që sa më shpejtë të kryhet gjykimi pasi edhe për të premten, më 31 janar është caktuar një seancë tjetër gjyqësore.
Javën e fundit të janarit do ta mbyllë Nikolla Gruevski në rastin ‘Traektorja’, së bashku me Mile Janakievskin dhe Lubço Georgievskin.
Përkundër rastit “Trust” që në muajin shkurt do ketë katër seanca gjyqësore, në këtë muaj është paraparë të vazhdojë gjykimi për rastin “Sopoti” dhe për herë të parë, në një proces të përsëritur, do fillojë edhe rasti “Monstra”.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/