` . (VIDEO) Paga minimale do të jetë 14.500 denarë - TV-SHENJA

(VIDEO) Paga minimale do të jetë 14.500 denarë

Qeveria ka miratuar vendimin për rritjen e pagës minimale nga 12.500 denarë sa ishte deri më tani në 14.500. Kjo shumë nënkupton rritje për 2 mijë denarë më shumë nga paga minimale e cila ishte vendosur në vitin 2017 dhe mbi 5 mijë denarë më shumë sesa ka qenë deri në vitin 2016 kur ishte 9000 denarë. Kryeministri Zoran Zaev shpreson se kjo rritje do të ndikojë edhe në spiralen e rritjes së pagave të tjera në vend. Vendimi për rritjen e pagës minimale u soll në konsultim me të gjitha palët, sindikatën, punëdhënësit, odat ekonomike dhe ministrat përgjegjës në qeveri.
Zoran Zaev, kryeministër
“Kemi marrëveshje për vendim për rritje të pagës minimale në 14.500 denarë. Nga viti 2017 kur filluam ti kthejmë paratë tek qytetarët me politika të cilat kjo Qeveri I krijon, efektet e rritjes së parë të pagës minimale i ndjemë atëherë edhe të gjitha anët e mira dhe të cilat na konfirmuan se jemi në rrugë të mbarë. Prej para dy viteve, më 2017 pagën minimale e rritëm për 3.500 denarë dhe ajo sot është 12.507 denarë dhe tani e tutje do të rritet edhe për 2.000 denarë shtesë dhe do të jetë në nivelin më të lartë historik 14.500 denarë”
Punëdhënësit dhe drejtuesit e sindikatës mbështetën vendimin dhe janë optimist se rritja e pagës minimale do të ketë më shumë ndikime, përfshirë këtu edhe stimulimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e fuqisë së konsumatorëve.
Sindikati
“Ne synonim që paga minimale të jetë 60 për qind e pagës mesatare por përmes negociatave dhe diskutimeve për rritjen e pagës minimale të udhëhequra në këshillin ekonomiko social dhe në takime të drejtpërdrejtë me punëdhënësit, sindikatën dhe qeverinë erdhëm deri te një konkluzë e përbashkët që ta mbajmë stabilitetin e ndërrmarjeve dhe të pranojmë shumën prej 14.500 denarë apo dy mijë denarë pagë më të madhe minimale. Vlerësoj se shuma nuk është e theksuar por në të ardhmen do të angazhohemi jo vetëm për pagë më të madhe minimale por edhe për rritjen e pagave të tjera”
Nebi Hoxha, OEMVP
“Me rritjen e pagës minimale do kemi një ndikim shumë dimensional në ekonominë e vendit tonë, duke u nisur nga vlera e të hollave që do të jetë më e madhe në qarkullim, do të kemi rritje të fuqisë blerëse, stimulim të konsumit, motivim të të punësuarve, rritje të produktivitetit dhe më e rëndësishmja në këtë moment kur kemi mungesë të fuqisë punëtore, të kuadrove të larta, rritja e pagës minimale dop të krijojë një mundësi për rininë tonë që mos ta lëshojnë vendin”
Paga minimale në vlerë prej 14.500 denarë do të fillojë të paguhet nga muaji dhjetor, ndërsa kontributet për rritjen prej 200 denarë do ti mbulojë Qeveria për të gjitha kompanitë private të cilat do të aplikojnë, falë ligjit të miratuar së fundmi në Kuvend. Kryeministri Zaev njoftoi se masat e këtilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe shpreson se deri në fund të mandatit paga minmale do të arrijë në 16.000 denarë, ndërsa paga mesatare deri në 30.000 denarë.

Arben Zeqiri /SHENJA/