` . (VIDEO) Padi kundër ish drejtorit të Kadastrës – TV-SHENJA

(VIDEO) Padi kundër ish drejtorit të Kadastrës

Departamenti për Ndalimin e Krimit të Organizuar deri te Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka parashtruar padi ndaj ish drejtorit të Agjencisë për Kadastër, për shkak të dyshimit për kryerje të veprës penale “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”. Siç është cekur në kumtesën e MPB-së, i paraqituri S.T, në cilësinë e drejtorit të Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive të RM-së, në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për nëpunës adminsitrativ, ka sjellë vendim për avancimin e 128 nëpunësve administrativë pa miratimin e procedurës adekuate ligjore.

MPB: “Pa parashtruar kërkesë për fillim të procedurës për avancim të nëpunësit administrativ në njësinë organizative, kompetente për menaxhim me resurset njerëzore në Agjenci, pa njoftim të marrë për mjete të sigurta financiare nga Ministria e Financave, pa konkurs të publikuar intern në ueb faqen e Agjencisë, si dhe pa ekzistim të paraqitjeve për avancim me dëshmi të bashkangjitura për avancim, pa Komision për selektim për avancim, pa procesverbal për selektim administrativ, pa procesverbal për intervista të kryera me kandidatë më mirë të ranguar dhe pa vendime për zgjedhje të kryer, e as pa publikim të të njëjtave në ueb faqen e Agjencisë, ka sjellë 128 vendime për sistemim dhe përcaktim të rrogës së nëpunësit shtetëror”.

Më tej MPB njofton se personi në fjalë në mënyrë të paligjshme ka bërë avancimin e nëpunësve administrativ në sektorin publik.

MPB: “I paraqituri S.T., gjithashtu, ka vepruar në kundërshtim të nenit 5 të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik. Ai, pa kryer procedurë transparente për avancim të nëpunësve administrativë dhe pa e respektuar parimin e kushteve të barabarta dhe qasjes së barabartë drejt vendit të punës, ka sjellë vendim me të cilin është bërë avancim i të punësuarve në Agjenci në vende më të larta të punës, me çka janë rritur edhe të ardhurat personale të nëpunësve të avancuar”.

Në këtë mënyrë, siç thekson MPB në periudhën në vijim personi i dyshuar u ka mundësuar nëpunësve të përfitojnë me dobi të kundërligjshme pronësore prej 7.343.131 denarëve në dëm të Buxhetit të RM-së.

Emine Ismaili /SHENJA/