` . (Video) Nuk ka marrëveshje ndërmjet bujqëve të Haraçinës dhe Ministrisë së Bujqësisë - TV-SHENJA

(Video) Nuk ka marrëveshje ndërmjet bujqëve të Haraçinës dhe Ministrisë së Bujqësisë

Edhe pas një ore diskutim, nuk është arritur asnjë marrëveshje mes Ministrit të Bujqësisë dhe bujqëve, të cilët kërkojnë dëmshpërblimin për dëmet bujqësore të shkaktuara nga breshëri i vitit 2018. Kryetari i këshillit iniciativ të Komunës së Gazibabës dhe Haraçinës, Adnan Ajruli tha se kanë kërkuar takim me kryeministrin teknik dhe kreun e LSDM-së dhe se presin përgjigje pozitive deri nesër në mesditë, nëse nuk gjendet zgjidhje, mbeten në qëndrimin që të premten të organizojnë protesta, ku do të bllokojnë rrugët.

ADNAN AJRULI, KRYETAR I KËSHILLIT INICIATIV
“Patëm bisedë me ministrin e bujqësisë ne si këshill, biseda zgjati afro një orë dhe përfundimi është i keq, nuk ka ndonjë rezultat të mirë dhe kërkesa e fundit e jona mbet që urgjentisht deri nesër në ora 12 të na bëjë ai një takim me kryeministrin teknik, le të jenë prezent edhe kreu i partisë, Zoran Zaev, dhe të tjerë, dhe me një akt qeveritar të vendoset problemi ynë që njëherë e përgjithmonë të jetë pozitiv. Mbeti që deri nesër në 12, përndryshe, ne e informuam ministrin se të premten në ora 13:30 do ta bëjmë bllokimin e qarkorës së Shkupit, te ura e Stajkovcit në të dyja anët. Për atë ne menduam që nesër deri në ora 12 të marrim përgjgije, përndryshe do ta paraqesim sipas rregullave në polici, se do të bëjmë bllokimin e rrugëve”

Ajruli tha se në takim u është thënë që arsyeja se përse nuk e kanë marrë dëmshpërblimin është një pengesë ligjore, që duhet të rregullohet me ndryshime ligjore, mirëpo bujqit u shprehën decid, ata kërkojnë që kjo çështje të zgjidhet para zgjedhjeve të 12 prillit.

ADNAN AJRULI, KRYETAR I KËSHILLIT INICIATIV
“Më sakt na thanë se ka pasur një pengesë ligjore, edhe pse nuk u pajtuam, se tashmë dy vite ka mundur që të zgjidhjet edhe ai problem të tejkalohet, mirëpo sipas biosedave ai tha se kanë bërë kërkesë për ndryshimin e ligjit, një nen i ligjit paska qenë problematik dhe ata kanë bërë iniciativë që të kalojë në Qeveri, dhe më pas në kuvend. Ne aty nuk u pajtuam sepse sikur kemi informata nesër ose pasnesër shpallen zgjedhjet dhe kuvendi nuk mund të debatojë para dy muajve, ne duam që problemi ynë të zgjidhet para zgjedhjeve.“

Në këtë takim, i pranishëm ishte edhe një tjetër bujk, i cili nuk ka arritur të marrë  dëmshpërblimin  e dëmeve të shkaktuara që nga viti 2016.

EKREM JAHIU, BUJK
“Ministri i bujqësisë na pranoi, por ai nuk deshi as edhe t’i shikojë dokumentet që i kam unë, vetëm me deklarata të rrejshme, para 20 ditëve unë kërkova të takohem me të me dokumente, me fakte, ai doli me deklarata të rrejshme, edhe më parë ka dal por sigurisht edhe sot. Deklarata të rrejshme se ata japin deklarata se unë nuk kam dokumente, dokumentet janë tjera, ato janë dokumente të tjera pa nënshkrimin tim, unë kam prej inspektoratit shtetëror  dokumente të tjera, ata postojnë dokumente të tjera”

Në takimin e sotëm, përveç ministrit dhe bujqëve, duhej të merrnin pjesë edhe kryetarët e komunave të Haraçinës dhe Gazibabës, por ata nuk ishin të pranishëm. Përndryshe, akoma nuk ka ndonjë komunikatë lidhur me takimin nga ana e ministrisë së bujqësisë. Ajnur Bafqari /SHENJA/