` . (VIDEO) Nimic e Dimitrov takohen të hënën - TV-SHENJA

(VIDEO) Nimic e Dimitrov takohen të hënën

Përfaqësuesi Special i Kombeve të Bashkuara në bisedimet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic prej sot e deri më 4 korrik do të qëndrojë Shkupin, ku do të zhvillojë takime me zyrtarët e lartë të shtetit, rreth mundësive për zgjidhjen e kontestit.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të vendit kanë konfirmuar se shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, do të pret në vizitë  ndërmjetësuesin Nimic ditën e hënë në hapësirat e kësaj ministrie. Siç është paralajmëruar edhe më herët,  temë kryesore e këtij takimi do të jetë çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Ndërkohë, Shërbimi për Informim i OKB-së  njofton se Nimic vjen në Shkup me ftesë të Qeverisë së Maqedonisë për të diskutuar mënyrat për të arritur përparim në bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e emrit.

Ai në Maqedoni dhe rajon nuk ka qenë për më shumë se dy vite. “Shpresoj se vëmendja do të kthehet në këto çështje. Jam këtu të testoj gadishmërinë tek të gjitha palët për përparim serioz. Këtë radhë nuk sjell propozim”, tha Nimetz. Ai shtoi se shpresat për zgjidhjen e kontestit disavjeçar shtohen pasi Qeveria e re ka dërguar sinjale se është e gatshme të punojë për marrëdhënie të mira fqinjësore.

Shërbimi njoftoi se pas kësaj është parashikuar që Nimic të shkojë në Athinë. Matju Nimic, në fund të muajit të kaluar, në një intervistë për një gazetë greke, tha se zgjidhja e çështjes së emrit duhet të jetë lart në agjendën e qeverisë së re. Ai pret që të fillojnë negociata serioze për zgjidhjen e këtij kontesti. Problemi i emrit është një ndër çështjet më serioze që bllokon procesin e integrimeve euro atlantike të vendit.

Teuta Buçi /SHENJA/

Postime të Ngjajshme