` . (VIDEO) Ndërroi jetë drejtori i hekurudhave të Maqedonisë, Shaban Zendeli - TV-SHENJA

(VIDEO) Ndërroi jetë drejtori i hekurudhave të Maqedonisë, Shaban Zendeli

Ka ndërruar jetë Shaban Zendeli, drejtor gjeneral i Ndërrmarjes Publike  “Hekurudhat e Maqedonisë – Transport”. Vdekja e tij ka ardhur si pasoj e një sëmundje të rëndë. Ai ishte një personalitet dhe kuadër i dalluar në komunën e Likovës, nga radhët e partisë “Alternativa”.  Zendeli  ndër  të tjera ka qenë i njohur edhe me aktivitete tjera politike. Në zgjedhjet e fundit ai ka qenë kandidat për kryetar komune për rajonin e Likovës.

Nga “Alternativa” shprehin keqardhje për vdekjen e tij dhe thonë se kanë humbur një njeri të madh dhe një veprimtar të palodhshëm. Ata ngushëllojnë familjen Zendeli,por edhe të gjithë aktivistët e Alternativës, që siç thonë ata,  te tashmë i ndjeri, Shaban Zendeli, gjenin njeriun e urtë dhe të guximshëm për t’u mbështetur.

 “Alternativa”

“Vdekja e tij, që na ka goditur të gjithëve, është një humbje e madhe për neve si parti, por edhe për mbarë kombin shqiptar në Maqedoni, sepse kështu kemi humbur një atdhetar të devotshëm, një idealist të përkushtuar dhe një njeri vetëmohues e sakrifikues. Do të mbetet në kujtimet tona si njeri i betejave për sistemin e vlerave që bashkërisht i projektuam dhe luftuam për to pa u kursyer”.

Zendeli ka lindur në fshatin Orizare të komunës së Likovës, ku ka mbaruar edhe shkollën fillore. Të mesmen e kishte kryer në gjimnazin “Goce Dellçev”, në Kumanovë. Ndërsa, kishte diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës. Përvojën e tij prej më shumë se 30 vitesh e kishte filluar në fabrikën “Bibrok” në Kumanovë, duke vazhduar pastaj në një firmë tjetër private, kurse 25 vitet e tjera kishte punuar në Drejtorinë e Doganave të Maqedonisë. Nga viti 2018 ishte emëruar si drejtor gjeneral i “Hekurudhave të Maqedonisë – Transport”.

Emine Ismaili /SHENJA/