` . (VIDEO) Liderët e Turqisë dhe të Rusisë përurojnë "Rrjedhën turke" - TV-SHENJA

(VIDEO) Liderët e Turqisë dhe të Rusisë përurojnë “Rrjedhën turke”

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në inaugurimin e projektit të tubacionit të gazit natyror “Rrjedha Turke”, ka deklaruar se “ky projekt është historik në aspektin e raporteve bilaterale, si dhe në hartën energjetike, për të cilin kemi bërë përpjekje të mëdha me Rusinë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti turk theksoi se falë projektit, 15,75 miliardë metra kub gaz natyror nga 31,5 miliardë do të vijnë drejtpërdrejt në Turqi pa asnjë shtet ndërmjetësues.

“Bashkëpunimi me Rusinë në sferën e energjisë me sukses ka tejkaluar çdo lloj sprove, sikurse edhe në fushat e tjera”, tha Erdoğan, duke shtuar se po shënohet një rritje e rregullt në tregtinë dypalëshe me Rusinë.

Asnjë projekt në Mesdheun Lindor ku nuk përfshihet Turqia nuk ka mundësi të zbatohet në aspektin ekonomik, kufitar dhe diplomatik”, tha më tej presidenti Erdoğan.

Duke folur për marrëdhëniet me Rusinë, Erdoğan tha se në periudhën e fundit nuk lejuam që dallimet në mendime t’i tejkalojnë interesat tona të përbashkëta.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në inaugurimin e projektit të tubacionit të gazit natyror “Rrjedha Turke”, ka deklaruar se bashkëpunimi mes Rusisë dhe Turqisë zhvillohet në çdo fushë pavarësisht përpjekjeve t’i penguar ato.

“Transferimi i gazit rus në Evropë përmes Turqisë do të ketë efekt në gjithë ekonominë evropiane”, tha Putin. Duke folur për zhvillimet e fundit në rajon, Putin theksoi se “në këtë rajon ka tendenca drejt rritjes së tensioneve, ndërsa Turqia dhe Rusia, nga ana tjetër, shfaqin një prirje shumë ndryshe”. /SHENJA/