` . (VIDEO) Kukan: Muajve të ardhshëm presim kthesë në zhvillimet politike - TV SHENJA

(VIDEO) Kukan: Muajve të ardhshëm presim kthesë në zhvillimet politike

Eurodeputeti Eduard Kukan në një intervistë për European Western Balkans, ka shprehur edhe njëherë shqetësimin e tij për krizën politike në Maqedoni. Ai ka thënë se në tërë rajonin është paraqitur një trend shqetësues në lidhje me funksionimin normal të demokracisë parlamentare dhe disa institucioneve shtetërore. Sipas tij, ky trend krijon pothuajse rreth vicioz në të cilin demokracitë e dobëta shkaktojnë institucione të dobëta dhe anasjelltas. Kukan ka deklaruar se muajve të ardhshëm presin kthesë të rëndësishme të zhvillimeve politike në Maqedoni dhe në vendet e tjera ballkanike.

“Ne po ballafaqohemi me krizë serioze në Maqedoni dhe Shqipëri. Shtetet e tjera në rajon, për shembull Mali i Zi dhe Kosova, po luftojnë me bojkot parlamentar. Kjo duket se është trend rajonal, i cili është kontra porduktiv për zhvillimin demokratik në vendet që janë në pragun europian. Shpresoj se muajve të ardhshëm do të shohim kthesë të rëndësishme në këtë trend. Mbi të gjitha, ajo është kriteri i parë dhe më fundamental i Kopenhagës”, tha eurodeputeti Eduard Kukan.

Duke folur mbi perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kukan tha se zgjerimi i BE-së është akoma i mundshëm dhe dyert mbeten të hapura për vendet që respektojnë vlerat evropiane.

“Zgjerimi evropian është akoma pjesë e madhe e projektit tonë të përbashkët dhe mbështetja për këtë po ashtu është nënvizuar në Deklaratën e Romës: ‘Ne duam Union i cili mbetet i hapur për ata vende të Evropës që respektojnë vlerat tona dhe angazhohen për promovimin e tyre’.  Kjo u tha po ashtu edhe në Kongresin e Partisë Evropiane Popullore këtë vit”, theksoi Kukan.

Ai më tej tha se, qëndrimet e këtilla flasin për esencën e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, sipas së cilës, me një përkushtim të vërtetë në procesin e reformave dhe avancimin në të, BE është e gatshme të mirëpres anëtarë të rinj.

Teuta Buçi /SHENJA/

 


Kukan: Muajve të ardhshëm presim kthesë në… by tvshenjaofficial