` . (VIDEO) KSHZ filloi distribuimin e materialit të besueshëm zgjedhor – TV-SHENJA

(VIDEO) KSHZ filloi distribuimin e materialit të besueshëm zgjedhor

Sot filloi shpërndarja dhe pranim-dorëzimi i materialit zgjedhor, nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor në komisionet zgjedhore komunale për zgjedhjet lokale që do të mbahen ditën e diel. Në shpërndarjen e materialeve zgjedhore i pranishëm ishte edhe nënkryetari i KSHZ-së Rexhep Prekopuca, i cili tha se procesi ka shkuar mbarë dhe pa ndonjë problem. Gjithashtu ai njoftoi se këtë cikël zgjedhor, shtypjen e fletëvotimeve zgjedhore e ka bërë kompania “Polyesterday”.

“Sot fillojmë me shpërndarjen e materialit zgjedhor. Mund të them se gjithçka është duke shkuar sipas asaj që e kemi planifikuar dhe deri tani procesi ka ecur ashtu siç duhet. Ndërsa më parë, deri te të gjitha komisionet zgjedhore u ndamë materialin zgjedhor. Këtu jemi së bashku me pronarin e kompanisë që kësaj radhe, për të parën herë i ka shtypur fletëvotimet zgjedhore dhe nga ana jonë mund të themi se jemi të kënaqur”, ka deklaruar Rexhep Prekopuca, nënkryetar i KSHZ-së.

Ndërkaq, KSHZ në pajtim me afatin zgjedhor, materialin zgjedhor e dorëzon në komisionet zgjedhore më së voni në afat prej 72 orëve para ditës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa komisioni zgjedhor është i obliguar që një ditë para ditës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve ta dorëzojë materialin zgjedhor në këshillat zgjedhore. Zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni janë caktuar për më 15 tetor, ndërsa do të zbatohen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Rrethi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor. Ndërsa fushata zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor në orën 24.00.

Emine Ismaili /SHENJA/