` . (VIDEO) Kronologji/ Bastisja, marrja në pyetje dhe paraburgimi i Janevës - TV-SHENJA

(VIDEO) Kronologji/ Bastisja, marrja në pyetje dhe paraburgimi i Janevës

Sa kaloi ora 12 e ditës së djeshme me vrull erdhi informacioni për polici në shtëpinë e Katica Janevës. Tashmë u kuptua se njësiti policor kishte shkuar për bastisje në shtëpinë e Janevës dhe për ta arrestuar.

Bastisja në shtëpinë e Janevës zgjati rreth dy orë. Përfundoi pak para orës 14:00 për kur ishte caktuar edhe konferencë për media e prokurorëve Lubomir Joveski dhe Villma Ruskoska. Janevën e morën policët e njësitit Alfa në një makinë të tipit Seat, dhe e dërguan në Prokurorinë Speciale ku duhej tua hapë kompjuterin personal.

Bastisja në PSP zgjati afro një orë. Prokuroria njoftoi se ia kanë marrë Janevës kompjuterin personal i cili do të shërbejë si provë në proces. Katica Janevën policët dhe hetuesit e morën përsëri me makinën e tipit Seat dhe e nxorrën nga garazhi. Përsëri e kthyen tek shtëpia e saj ku do tu tregonte se cilat janë mobilet dhe gjësendet e tjera që i ka fituar shkaku i ndihmës që ia ka dhënë Orce Kamçevit për të shpëtuar nga burgu.

Para shtëpisë së Janevës u parkua një kamion i cili i mori të gjithë mobiljet dhe gjësendet që do të konfiskohen, pasi janë fituar në mënyrë të paligjshme.

Ishte hera e dytë dhe e fundit që Janeva do të dilte nga dera e shtëpisë së saj, pasi tashmë policia do e dërgonte në Gjykatën Penale për tu marrë në pyetje.

Marrja e saj në pyetje nga gjykatësi Sedat Rexhepagiç si e dyshuar zgjati afro tre orë. Derisa Janeva merrej në pyetje, avokati i saj Cvetan Pandeleski insisonte se ajo është vetëm viktimë e rastit. Por gjykatësi i procedurës paraprake nuk mendonte kështu. Gjatë marrjes në pyetje Janeva u përkeqësua dhe i sollën ndihmën e shpejtë, por edhe ky fakt nuk e hamendi gjykatësin Rexhepagiç.

Rreth orës 21 e 30 tashmë prokurorja Villma Ruskovska kishte dalë para mediave për të kumtuar se Janevën po e dërgojnë në Shutkë, pasi druajnë se do arratiset ose të ndikojë tek provat dhe dëshmitarët.

Villma Ruskovska, prokurore

“Nuk ka ndryshuar asgjë nga nata e mbrëmshme e deri më sot. Kam vlerësuar se koleges duhet t’i jepet mundësia për të dhënë versionin e saj. Nuk do të kërkoja paraburgim pa patur argumente të mjaftueshme. Paraburgimi është i domosdoshëm”

Makina e fundit me të cilën u vozit dje Janeva ishte furgoni i kaltërt i policisë me grila….

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/