` . (VIDEO) Kriza institucionale, katër vende të zbrazëta në Qeverinë Zaev – TV-SHENJA

(VIDEO) Kriza institucionale, katër vende të zbrazëta në Qeverinë Zaev

Ende pa u plotësuar tre vende në Qeveri, zbrazet edhe një tjetër. Pas dorëheqjes së dy deputetëve të LSDM-së, Stevo Pendarovski dhe Vasko Kovaçevski, në vend të tyre vijnë dy deputetë të tjerë, njëri prej të cilëve është Samka Ibrahimovski, ministër pa resor i cili ka dhënë dorëheqje nga posti ministror. Gjatë deklaratës për media në të cilën njoftoi se do të emërohet drejtor i TEC Manastir, deputeti Vasko Kovaçevski, raporton SHENJA, la të hapur mundësinë edhe për një rikonstruim më të gjërë të Qeverisë. Ai tha se për këtë temë nuk ka informata, por për të njëjtat do të flet kryeministri Zoran Zaev gjatë ditëve në vazhdim. Por në pyetjet e gazetarëve Kovaçevski ishte decid se nuk përjashton mundësinë e ndryshimeve më të mëdha në Qeveri.

 Vasko Kovaçevski, deputet në dorëheqje

“Nga ajo që unë e kam si informatë është se deputeti i parë i radhës nga lista është Samka Ibrahimovski, ai do ta lëshojë funksionin ministër në Qeveri dhe për të gjitha ndryshimet e tjera kadrovike presim që ditëve në vazhdim të prononcohet kryeministri Zaev. Po, është e mundur, nuk përjashtohet mundësia”

Konstatimi i dorëheqjes së dy deputetëve të LSDM-së do të bëhet nesër para fillimit të seancës së re plenare dhe më pas do të njoftohet Komisioni Shtetëror Zgjedhor për të caktuar deputetët e rinj. Por vetë dorëheqjet e deputetëve kanë rënduar edhe më shumë krizën institucionale, duke patur parasysh se numri i vendeve të zbrazura në Qever tani ka shkuar në katër. Nga ana tjetër situatën edhe më shumë e kanë rënduar dorëheqjet në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, pasi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj nevojiten votat e dy të tretave të deputetëve në Kuvend, që nënkupton edhe votat e VMRO-DPMNE-së. Kryeministri Zoran Zaev dje u shpreh optimist se përmes dialogut do të gjindet zgjidhje për çdo situatë të krijuar, ndërsa burime nga Kuvendi kanë thënë se për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KSHZ-së do të pritet zgjedhja e kryetarit të ri të VMRO-DPMNE-së. E gjithë kjo bëhet me qëllim që të evitohet Përzhino 3, pasi edhe vetë zgjedhja e anëtarëve aktual të KSHZ-së buroi nga bisedimet në rezidencën e BE-së në Përzhino të Shkupit.

Arben Zeqiri /SHENJA/