` . (VIDEO) Krerët e shtetit shohin nga afër "muskujt ushtarakë" të NATO-s - TV-SHENJA

(VIDEO) Krerët e shtetit shohin nga afër “muskujt ushtarakë” të NATO-s

Kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryetarja e Qeverisë Radmilla Sheqerinska dhe kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, të shoqëruar edhe nga shefi i shtabit të përgjithshëm Vasko Gjurçinovski dhe ambasadorja e SHBA-ve, Kejt Bërns, kanë realizuar dje një vizitë në aeroplanmbajtësen “Hari Turman” ku janë takuar me admiral Xhejms Fogo, komandant i flotës detare për Evropë dhe Afrikë dhe komandant i forcave të Aleancës në Neapol. Gjatë kësaj vizite krerët shtetëror janë njoftuar nga afër me kapacitetet ushtarake të Aleancës pjesë e së cilës pritet të bëhet edhe Maqedonia e Veriut nga muaji shkurt.

Kryeministri Zoran Zaev pas vizitës ka thënë se anëtarësimi në NATO paraqet siguri si për shtetin, ashtu edhe për qytetarët dhe investitorët me çka do rrezultatet e para do të shihen në ekonomi. Përveç rritjes së investimeve të jashtme, Zaev ka thënë se do të përfitojnë edhe kompanitë vendore të cilat do të certifikohen për furnizim të njësiteve të NATO-s me produktet e tyre.

Zoran Zaev, kryeministër
“Javën e kaluar në Londër përjetuam çdo të thotë të jesh pjesë e familjes së vendeve anëtare të NATO-s. Ishin krah për krah me liderët politik të Aleancës. Me vizitën në aeroplanmbajtësen ‘Hari S.Truman’, një nga reprezentuesit më impresionues të fuqisë dhe sistemit kompleks për detyra efikase operative për ruajtjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në botë dhe me takimin me admiral Xhejms Fogo, e kompletuam fotografinë për aleancën më të fuqishme ushtarake dhe të sigurisë në botë dhe për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në sistemin më të fuqishëm të sigurisë kolektive që bashkon thuajse 1 miljard njerëz nga bota demokratike. Vnedet më të fuqishme janë aleatët tanë, Maqedonia e Veriut është partner me të gjithë ata”

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, tha se nesër në Kuvend të gjitha partitë që e kanë përdorur fjalën NATO në programet e tyre duhet të votojnë ligjin e ri për mbrojtje ku mes tjerash potencohet se të gjitha kapacitetet e NATO-s tani e tutje do të jenë edhe në shërbim të vendit tonë.

Radmilla Sheqerinska, zv/kryeministre
“Edhe ai aeroplanmbajtës Truman, tanimë është pjesë e mbrojtjes tonë. Edhe ata aeroplanët aty edhe këta sot në bazë janë pjesë e mbrojtjes tonë. Të gjithë ata më shumë se 5000 ushtarë në aeroplanmbajtëse janë pjesë e mbrojtjes tonë, ashtu si edhe kapacitetet tona janë pjesë e sistemit të NATO-s. Për këtë luftuam, për këtë punuam dhe për këtë shteti ynë investoi shumë. Tani është mundësia ti mbledhim frytet e anëtarësimit në NATO, të kemi më shumë mundësi për investime vendore dhe të huaja, të japim më shumë mundësi për vende pune dhe më shumë paga dhe të dëshmojmë se vetëm me vend të sigurt fitohet një e ardhme më me perspektivë”

Nga Qeveria kanë njoftuar sot se gjatë 10 viteve të ardhshme do të parashihet modernizim i armatës dhe kapaciteteve teknike ushtarake. Deri atëherë do të arritet edhe niveli prej 2 përqind nga bruto prodhimi vendor për armatë, por nuk do të blehen aeroplanë. Aeroplanët e vjetër luftarak të tipit Suhoi si dhe disa pajisje të tjera të vjetra do të shkatërrohen dhe hidhen. Qeveria ka mirëpritur edhe ide të opinionit për organizimin e festës në ditën e anëtarësimit të plotë të vendit në NATO. Arben Zeqiri /SHENJA/