` . (VIDEO) Institucionet dhe partitë urojnë për ditën e alfabetit - TV-SHENJA

(VIDEO) Institucionet dhe partitë urojnë për ditën e alfabetit

Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, bartësit e funksioneve më të larta shtetërore dhe liderët e partive politike dërguan urim për pjestarët e etnisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.  Presidenti Stevo Pendarovski nëpërmjet një komunikate theksoi se krijimi i alfabetit dhe kodifikimit të një gjuhe është një nga hapat më domethënës të vetidentifikimit të një populli. Ai theksoi se 22 nëntori është një ditë e rëndësishme për popullin shqiptar por edhe për të gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Stevo Pendarovski, President
“Në këtë rast, dua bashkësisë etnike shqiptare t’ia uroj Ditën e Alfabetit, kurse të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut t’i porosis se rruga e vërtetë e ndërtimit të shtetit evropian është përmes respektimit, bashkëpunimit dhe përbashkësisë. Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip!”.

Kryeministri Zoran Zaev urimin e tij e drejtoi nëpërmjet profilit të tij në Facebook, ai publikoi një video urim, ku mes tjerash thuhet “Së bashku rritemi, mësojmë, zhvillohemi.”

Zoran Zaev, Kryeministër
“Së bashku rritemi, mësojmë, zhvillohemi, 111 vjet. Urime Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”

Kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, uroi festën e 22 Nëntorit, duke porositur që fjala e bukur, të jetë udhërrëfyes në jetët tona.

Talat Xhaferi, Kryeparlamentar
“Është nder që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sinqerisht dhe përzemërsisht t’ju uroj 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit shqip dhe t’ju uroj ta kaloni në atmosferë të bukur dhe solemne, ashtu siç i ngjan një feste e cila e kremton alfabetin, gjuhën dhe shkrim-leximin dhe në përgjithësi fjalën e bukur si vlerën më të lartë civilizuese të njerëzimit”.

Me rastin e 22 nëntorit në Kuvend Këshilli për Ndarjen e Çmimit Shtetëror “22 Nëntori” e ndau çmimin shtetëror “22 Nëntori” për vitin 2019, për mirënjohje ndaj njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive. Në këtë eveniment ishte edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti nga ku edhe uroi këtë festë.

 

Nga partia Alternativa nëpërmjet një komunikate urojnë 22 nëntorin për të gjithë shqiptarët kudo që janë, ata urojnë poashtu që kremtja të kalojë në frymë festive, ndërsa gjuha dhe shkronjat shqipe të mbeten të shenjta dhe të përjetshme.

Alternativa
22 nëntori i 1908-tës ishte uvertura e kombndërtimit tonë, që u kurorëzua me 28 nëntorin e 1912-tës, sepse përcaktimi i alfabetit shqip e mundësoi edhe shkrimin e Deklaratës së Pavarësisë. Një komb që për 111 vjet shkruan me shkronjat e veta latine detyrimisht e ka përcaktuar fatin e tij historik si komb i dijes, i shkrimit dhe i librit. Për këtë jemi pafundësisht mirënjohës ndaj të gjitha personaliteteve të larta të kombit për vizionin dhe devotshmërinë me të cilën e skicuan identitetin tonë kombëtar.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela urimin e bëri nëpërmjet profilit të tij në fejsbuk, ai mes tjerash shkroi se me jetësimin e plotë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, do të respektohen krerët intelektualë e atdhetarët, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit historik.

Zijadin Sela, Aleanca Për Shqiptarët
Të nderuar bashkëkombas, jemi në atmosferë festive të ditës më të ndritur të historisë së gjuhës sonë! 22 Nëntori, dita kur Kongresi i Manastirit i mbaroi punimet me sukses, do mbetet e shënuar me shkronjat e arta të kësaj gjuhe, që aq shumë u sakrifikua gjatë historisë.

Kongresi i Manastirit, ose Kongresi i Alfabetit, ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Data 22 nëntor përbën tashmë një ditë përkujtimuese në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit.

Ajnur Bafqari /SHENJA/