` . (VIDEO) Hiqen shtesat për fëmijën e tretë – TV-SHENJA

(VIDEO) Hiqen shtesat për fëmijën e tretë

Familjet që do të kenë fëmijën e tretë nuk do të marrin shtesat mujore si deri më tani. Megjithatë, ministrja e Punës dhe politikës sociale, Milla Carovska, thotë se masa “Fëmija i Tretë” nuk hiqet por vetëm transformohet. Ajo theksoi se me ndryshimet në ligjin për punë dhe politikë sociale, do të vendoset e drejta e barabartë për të gjitha familjet dhe do të bëhen shtesat sociale për familjet në nevojë.

Milla Carovska Ministre e punës dhe politikës sociale

“Transformohet dhe themi se vendosim me drejtësi të drejtën për zhvillim demografik. Japim të drejtë për fëmijën e parë, fëmijën e dytë dhe fëmijën e tretë me qëllim që të mos ketë diskriminim. Për fëmijën e parë jepet një herë shuma prej 5 mijë denarësh, fëmijën e dytë 20 mijë denarë dhe për fëmijën e tretë 60 mijë denarë. Plotësisht qytetarët që janë në rrezik social fitojnë  të drejtën e shtesës fëmijërore dhe arsimore. Edhe ata që janë në rrogë minimale”.

Ministrja Carovska tha se fëmija i tretë si politikë, në nivel vjetor i kushton shtetit më shumë se dy miliardë e 600 milionë denarë, ndërsa rezultatet nuk janë arritur. Sipas saj, ç’do masë mund të vendoset dhe pas dhjetë viteve mund të shihni nëse ka dhënë efekt ose jo.

Milla Carovska Ministre e punës dhe politikës sociale

“Kjo masë, kur e ndiqni në dhjetë vite e shihni se nuk ka dhënë asnjë efekt, por paratë i kemi harxhuar dhe i kemi hedhur në një bunar. Për shkak se në vitin 2001 nataliteti në Maqedoni k qenë 13.3, dhe mund ta provoni në statistikë, ai është 11.1, që do të thotë se ky investim as është i përmbajtshëm as i pagueshëm. Varfëria në Maqedoni është mbi 30 për qind. Ne kemi investuar në familje që nuk janë në rrezik social dhe fëmijë që nuk janë të rrezikuar, por kjo masë nuk kishte cenzus, nuk kishte limit. Ç’do familje, edhe ajo që  kishte 200mijë denarë pagesa edhe ajo që nuk kishte zero të ardhura e shfrytëzonin këtë masë”.

Ministrja Carovska theksoi se ata 26 mijë familje të cilët e kanë fituar të drejtën për pagesa shtesë për fëmijën e tretë do të vazhdojnë ta marrin këtë shtesë, ndërsa edhe qytetaret të cilat në dhjetë muajt e ardhshëm do të mbesin shtatzane. Sipas ligjit aktual, ata prindër që e kanë fituar këtë të drejtë marrin para shtesë prej 8362 denarë, deri në moshën 10 vjeçare për fëmijën e tretë dhe 15 vite për fëmijën e katërt.

Mefail Ismaili /SHENJA/