` . (VIDEO) Gashi: Lëvizja BESA nuk ka tërhequr nënshkrimet - TV-SHENJA

(VIDEO) Gashi: Lëvizja BESA nuk ka tërhequr nënshkrimet

Lëvizja BESA nuk ka tërhequr nënshkrimet për formimin e Qeverisë së re. Kështu ka thënë deputeti i kësaj Lëvizje, Afrim Gashi në emisionin “Top Tema” në Tv Telma, duke hedhur poshtë pretendimet e deputetit të BDI-së, Artan Grubi, i cili për mediat në gjuhën maqedonase ka deklaruar se BESA ka tërhequr nënshkrimet e dhënë për marrjen e mandatit nga ana e liderit të LSDM-së, Zoan Zaev.

I pyetur në lidhje me spekulimet në opinion për afërsinë e BESËS me Nikolla Gruevskin, Gashi tha se BESA ka qenë e para që kur Gruevski ka marrë mandatin ka thënë qartazi se as nuk do të ulen as për të biseduar me Gruevskin. Ai tha se ata në vazhdimësi kanë akuzuar se fajtorë për gjendjen në të cilën është Maqedonia, është binomi VMRO-BDI.

Sipas tij, nga një qëndrim aq i fortë i qartë dhe preciz në konfrontim me VMRO-në, të dilet dhe të lëshohen spekulime të tilla vërtet është për të ardhur keq.

“Ne edhe pse morëm vendim që të mos përkrahim Talat Xhaferi nuk kemi tërhequr nënshkrimet. Sot kemi një spekulim, për të mos thënë një gënjeshtër e thjeshtë se BESA i ka tërhequr nënshkrimet. Pra, kjo absolutisht nuk është e vërtetë.  Ne dëshirojmë me gjithçka që kemi të ndihmojmë procesin. Të formohet Qeveri e re, reformatore e cila do të jetë kundër korrupsionit, krimit, do të pranon vërejtjet e Raportit të Pribesë dhe të dalim nga kjo krizë e rëndë”, tha sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.

Mes tjerash, gjatë emisionit Gashi ka thënë se është për t’u habitur me faktin se si për një numër të madh të qytetarëve, BDI, e cila bisedonte për të hyrë në Qeveri me Gruevskin, etiketohej si bashkëfajtore për gjendjen në të cilën gjendet vendi, tani asaj nuk i mungon asgjë dhe të amnistohet nga krimi.

“Për ne është me rëndësi procesi. Ne jemi të bindur mendojmë se me figura që janë sinonim e qeverisjes VMRO-BDI, nuk do të ketë  Qeveri reformuese, nuk do të ketë PSP, nuk do të ketë Pribe. Kjo është përse jemi kundër. Nuk kemi asgjë kundër ndonjë personi. Ju e dini se ata bashkërisht kanë qeverisur pothuajse 10 vite. Si mendoni të amnistoni një pjesë të krimit. Mbi gjitha mendoj se këta njerëz do të bëjnë gjithçka që edhe njerëz të kriminalizuar të VMRO-së t’i shpëtojnë”, theksoi Gashi.

Afrim Gashi, po ashtu shtoi se nëse nuk arrihet që të formohet Qeveri politike, nëse shteren gjitha mundësitë, atëherë BESA do të propozojë formimin e një Qeverie ekspertësh me mandat dhe detyra të caktuara.

Enis Murtezi /SHENJA/

 


Gashi: Lëvizja BESA nuk ka tërhequr nënshkrimet by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme