` . (VIDEO) Frenat e prishura dhe shpejtësia e tepërt, arsyet që çuan deri tek aksidenti në Llaskarcë - TV-SHENJA

(VIDEO) Frenat e prishura dhe shpejtësia e tepërt, arsyet që çuan deri tek aksidenti në Llaskarcë

Prokuroria Themelore ka zbuluar se shkak për aksidentin në Llaskarcë që mori jetët e 15 personave ka qenë shpejtësia prej 100 kilometrash në orë dhe frenat e prishura për të cilat ka qenë në vetëdije edhe firma e transportit edhe ajo e kontrollit teknik. Sipas prokurorit Sasho Rajçev, raporton SHENJA, shoferi ka qenë ai që e ka manipuluar treguesin e shpejtësisë pasi e ka ditur se ligjërisht, nuk ka të drejtë të vozitë më shpejtë se 80 kilometra në orë.

Sasho Rajçev, prokuror

“Arsyeja kryesore është shpejtësia e palejuar, pasi nuk ka patur mundësi të frenojë në kohë dhe ta shmangë katastrofën, si dhe frenat të cilat nuk kanë qenë në rregull dhe që kontrolli teknik nuk i ka evidentuar dhe menjanuar. Sipas analizave, shoferi ka tentuar të frenojë pasi e ka kaluar barrierën mes dy korsive të rrugës, por ska mundur të ndalojë, dhe kështu autobusi ka rënë”

Prokurori tha se shoferi ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore, dhe ka qenë i kthjellët dhe sipas analizës së celularit të tij, nuk ka qenë duke folur në telefon. I pyetur nëse shoferi ka qenë diabetik, prokurori tha se ka qenë, por kjo nuk ka ndikuar në kthejlltësinë dhe aftësitë e tij.

Prokuroria ka arrestuar gjashtë persona lidhur me rastin. Ka arrestuar shoferin,dhe pronarin e autobusit “Durmo Turs”. Ka arrestuar edhe pronarin e firmës që e bënte kontrollin teknik të autobusave. Të gjithë ngarkohen me veprën penale “Vepra të rënda ndaj njerëzve dhe pronës në komunikacion” që sipas Kodit Penal, parashikon të paktën katër vite burg.

I dyshuari i parë është pronari i firmës “Durmo Turs” i cili nuk i ka respektuar ligjet as për orarin e punës, as për përgatitjen teknike të autobusëve, e as për shpejtësinë e tyre që është e kufizuar në 80 kilometra në orë, ndërsa  udhëheqësi i firmës së tij është i dyshuari i dytë pasi që ka mundësuar vendosjen e një pajisjeve që do ta manipulonte tahografin i cili mat shpejtësinë e autobusit.

Sasho Rajçev, prokuror

“Pronari i firmës transportuese ka qenë i vetmi që ka poseduar çertifikatë për kompetencë profesionale në komunikacion në bazë të të cili i është dhënë licenca, por ai nuk e ka organizuar transportin sipas rregullave dhe ligjit. Nuk ka shënuar evidencë të saktë të orarit të shoferëve, linjave të udhëtimit dhe ngjashëm, dhe udhëheqjen me makinat ia ka lënë udhëheqësit i cili nuk ka çertifikatë për kompetencë. Udhëheqësi ka mundësuar që të vendoset një pajisje për manipulimin e tahografit. Të dy të dyshuarit e kanë ditur se frenat kanë problem, por kanë lejuar autobusin të transportojë çdo ditë udhëtarë” 

Të dyshuarit e tretë, katërt dhe pestë, janë nga firma për kontroll teknik, pronar i së cilës është poashtu pronar i “Durmo Turs”-it.  Ata përkundër faktit se e kanë vërejtur se frenat nuk janë në rregull, i kanë dhënë leje për qarkullim dhe kanë nënshkruar raport se autobusi është në rregull dhe gati për të transportuar njerëz.  I dyshuari i gjashtë është shoferi i autobusit, i cili përkundër kufizimeve, ka vozitur me 100 kilometra  në orë, dhe në një moment, e ka humbur kontrollin mbi timonin. Përfundimi ka qenë pamundësia për të frenuar dhe rrokullisja e autobusit. Shoferi kishte qenë ai që e kishte ndezur pajisjen për manipulimin e tahografit ose shpejtësisë.

Prokuroria njoftoi se në këtë rast është përfshirë edhe një person, por për të nuk ka mundësi ligjore që të niset hetim, pasi që ngarkohet me veprën penale për aktivitet të pandërgjegjshëm në punë. Ky person vjen nga një firmë tjetër e cila ka dhënë vërtetim se autobusi teknikisht është në rregull.

Të gjashtë personat sot janë dërguar në stacion policor, dhe pastaj edhe në gjykatë, pasi për to prokuroria ka kërkuar paraburgim. Ndërsa për personin e shtatë, prokuroria do kërkojë vetëm që ti merret pasaporta.

Ferikan Ijazi Arifi /SHENJA/