` . (VIDEO) Formimi i Qeverisë së re, bisedimet fillojnë javën e ardhshme - TV-SHENJA

(VIDEO) Formimi i Qeverisë së re, bisedimet fillojnë javën e ardhshme

Bisedimet ndërmjet partive politike për formimin e koalicionit të ardhshëm qeveritar pritet të fillojnë nga java e ardhshme, pas skadimit të afatit 10-ditor të presidentit për t’i dhënë njërës parti mandatin për formimin e Qeverisë. Por, dy partitë parlamentare maqedonase VMRO dhe LSDM zotohen se do të formojnë Qeverinë e re. Nga VMRO thonë se janë fitues te zgjedhjeve dhe se atyre ju takon të formojnë koalicionin. Në një përgjigje për Televizionin SHENJA, zëdhënësi Ivo Kotevski tha se bisedimet me partitë shqiptare do t’i fillojnë pasi të marrin mandatin nga presidenti.

“VMRO-DPMNE e fitoi besimin e qytetarëve dhe fitoi në këto zgjedhje kështu që e pritshme është të respektohet vullneti i popullit dhe mandate t’i ndahet partisë e cila fitoi më shumë vota. Sapo të marrim mandatin do të fillojmë bisedimet dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që të formojmë Qeverinë, sepse është obligimi ynë që të ndërmarrim gjithçka qëështë në fuqinë tonë që ta realizojmë programën që e votuan qytetarët”, tha zëdhënësi Ivo Kotevski.

Ndërkohë, as LSDM ende nuk ka biseduar me asnjërën nga partitë shqiptare. Zëdhënësi Petre Shilegov tha se sapo të fillojnë këto bisedime do të njoftohet edhe opinioni me rrjedhën e tyre.

“Koha e politikanëve si Nikolla Gruevski ka mbaruar, ndërsa në Maqedonia patjetër të ketë dhe do të ketë institucione përgjegjëse që janë të obliguara me ligj dhe Kushtetutë të punojnë vetëm në shërbimtë qytetarëve. Proceset demokratike kanë filluar, vjen liria dhe jeta për qytetarët. Këtë më nuk mund ta ndalojë askush. Në kohë do të njoftojmë opinionin kur do të fillojnë ai lloj i bisedimeve dhe për rezultatin e bisedimeve”, tha Petre Shilegov nga LSDM.

Dy partitë nuk kanë dashur të komentojnë as kushtet e partive shqiptare. Në këtë pyetje në VMRO nuk u përgjigjen aspak, ndërsa nga LSDM thanë se zyrtarisht nuk janë të njoftuar me këto kushte dhe se nuk duan të komentojmë atë që qarkullon në media.Përndryshe, më 9 janar është dita e fundit kur presidenti Ivanov duhet t’i japë njërës parti mandatin për formimin e Qeverisë, ndërsa mandatari do të ketë 20 ditë afat që në Kuvend të propozojë kabinetin e ri dhe programin e Qeverisë.

Arben Zeqiri /SHENJA/


Formimi i Qeverisë së re, bisedimet fillojnë… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme