` . (VIDEO) Eurokomesari Hahn dhe ambasadorët kërkojnë zbardhjen e rastit “Zhvatja” - TV-SHENJA

(VIDEO) Eurokomesari Hahn dhe ambasadorët kërkojnë zbardhjen e rastit “Zhvatja”

Nevoja e miratimit të ligjit për Prokurorinë Publike si dhe zhvillimet e fundit në lidhje me rastin “Zhvatja”, kanë bërë që kryeministri i vendit Zoran Zaev si dhe komisioneri për zgjerim të BE-së, Johanes Han të zhvillojnë një bisedë telefonike. Sipas asaj që ka informuar Qeveria, Han dhe Zaev kanë konstatuar se institucionet e sistemit duhet që sa më shpejt dhe në mënyrë efikase të zbardhin ngjarjet aktuale, por edhe pa shtyrje të procedojnë të gjithë lëndët që dalin afera e përgjimeve. Ata më tej thonë se Zaev ka njoftuar komisionerin Han për masat që ka ndërmarrë qeveria për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe rastin “Zhvatja”.

Qeveria e RMV-së

“Zaev dhe Han konstatuan se duhet të vazhdojnë përpjekjet e partive për miratimin e ligjit për Prokurorinë Publike në Kuvend, si dhe qëllimi i të gjitha partive të jetë vendimi pozitiv për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve me BE-në, në tetor të këtij viti”.

Komuniteti ndërkombëtar u bëri thirrje autoriteteve të vendit tonë që të dëshmojnë me vepra atë që në vend sundon ligji dhe se funksionon shteti ligjor. Ambasadoret e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Kejt Bërns dhe Rejçël Gallouej duke e ndarë njoftimin e Komisionarit të BE-së Johannes Hahn për çështjen “Zhavtja” dhe luftën kundër korrupsionit në profilet e tyre zyrtare në Tëitter,  kanë bërë thirrje që vendi të dëshmojë angazhim që të mbështetet sundimi i ligjit.

Kate Byrnes, ambasadore e SHBA-së

“Siç thamë edhe më parë, këto janë akuza serioze që kërkojnë përgjigje serioze, e cila do të jetë e plotë, transparente dhe në kohë. Tani është koha që Maqedonia e Veriut të dëshmojë angazhim për të mbështetur sundimin e ligjit”.

Për Gallouej, forcimi i sundimit të së drejtës është me rëndësi jetike për Maqedoninë e Veriut.

Amb Rachel Galloway, ambasadorja e Britanisë

“Forcimi i sundimit të së drejtës është me rëndësi jetike për Maqedoninë e Veriut dhe mundësi për institucionet e pavarura për të demonstruar përkushtim për drejtësi për të gjithë qytetarët”.

Pasi në opinion u shfaqën biseda telefonike nga rasti “Zhvatja”, Komisionari për politikat e zgjerimit dhe fqinjësisë, Hahn kishte reaguar përmes një postimi në Twiter, i cili porositi që të vazhdoj lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Më tej ai bëri thirrje që autoritetet kompetente t’i hetojnë të gjitha veprat penale të liruar nga çfarëdo ndërhyrje, ndërsa autorët të sillen para drejtësisë.

Emine Ismaili /SHENJA/