` . (VIDEO) Emisioni VOX/ Rreth 800 persona përfitojnë nga amnistia – TV-SHENJA

(VIDEO) Emisioni VOX/ Rreth 800 persona përfitojnë nga amnistia

VOCDrejtoria për Zbatimin e Sanksioneve deri  më tani ka numëruar afro 800 të burgosur që do të dalin nga burgu menjëherë pas hyrjes në fuqi të amnistisë. Ky numër është për mbi 100 persona më shumë se sa kalkulimet e para që u bënë sapo ligji u votua në Kuvend. Drejtori i këtij institucioni Jovica Stojanoviç tha për emisionin VOX se numrat kanë dalë pas numërimit të fundit të të burgosurve dhe pritjet e tyre janë që me amnistinë e plotë por edhe me zbutjen e dënimit për 30 përqind të disa të burgosurve, në burgje të ngelin më pak se 2 mijë persona.

Jovica Stojanoviç, drejtor i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve

“Kur flasim vetëm për ligjin e amnistisë dhe për personat e privuar nga liria që ndodhen në qendrat tona, nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit për amnisti, pas përfundimit të asaj procedure, presim që numri i personave që do të lirohen plotësisht të jetë rreth 800 persona. Edhe pse vlerësimet e para ishin se do të jenë 670, megjithatë operojmë me numër diku deri në 800 persona, që në mënyrë drastike do ta ulë numrin, respektivisht rrëmujën në institucionet tona dhe do të na lejë hapsirë për mundësi të tjera për përmirësimin e kushteve„

Drejtoria e pranon se kushtet në burgje janë tejet të rënda dhe beson se kjo do të shkarkojë sadopak barrën e të burgosurve që do të mbeten të vuajnë dënimin. Njëri prej të burgosurve që do të përfitojë nga amnistia tregon rrëfimin e tij ekskluziv për emision Vox. Rrëfen për jetën në burg dhe gëzimin e përzier me hidhërim që ai vetë po del nga burgu, ndërsa pas len dhjetëra shokë shqiptar që thotë se janë pre e proceseve të montuara politike.

I burgosur

“Pas një kohe të gjatë sërish bashkohesh me familjarët. Shpresoj se një ditë të dalin të gjithë ata që mbahen padrejtësisht në burgje. Shqiptarët janë të montuar në vrasje që asnjëherë nuk I kanë kryer. Amnistia nuk e rregullon padrejtësinë dhe kushdo që është brenda grilave, e dijnë se burgjet janë të mbushura me shqiptarë pa pikë faji”

Zëvendës drejtori i burgut të Idrizovës Sadush Arifi ka frikë nëse të burgosurit që do të dalin në liri do të arrijnë të integrohen me lehtësi dhe të risocializohen, pasi pranon se ka shumë pak ose fare investim në këtë drejtim për shkak të numrit të madh të të burgosurve dhe numrit të vogël të punonjësve social që duhet ti përgatisin të burgosurit për botën e jashtme.

Drejtoria e burgut të Idrizovës

“Procesi i resocializimit fillon nga momenti i pranimit të të burgosurve në burg dhe vazhdon gjatë vuajtjes së dënimit deri në lirim. Por për shkak të numrit të madh të të burgosurve për afërsisht 2000 të burgosur, dhe numrin e të punësuarve në sektorin e resocializimit nuk arrihen rezultatet e duhura sipas programit dhe planit për risocializim”

Avokati i Popullit ishte skeptik për realizimin e drejtë të Ligjit. Ai e shihte si mangësi faktin që gjykata do të merr vendimin se kush do të dalë nga burgu, e jo vetë burgjet që i dinë më së miri edhe orët sa kanë kaluar të burgosurit në qeli. Por Ministria e Drejtësisë beson se ka përpiluar ligjin e duhur, dhe janë  kujdesur për përfshirjen e të gjithë elementeve dhe nuk pranon kritikat e Avokatit të Popullit për përjashtimin e burgjeve nga procesi i kalkulimit të dënimeve, pasi siç shpjeguan për emisionin VOX, burgu bën kërkesën për amnisti dhe gjykata vetëm merr vendimin.

Ligji për amnisti u votua ditë më parë në Kuvend. Nga burgu menjëherë do të dalin afro 800 persona, ndërsa dhjetëra të tjerëve ju hiqet 30% e burgut total.

Por nga kjo mundësi nuk përfitojnë personat që kanë bërë vepra penale pas 20 shtatorit të vitit 2017,  e as ata që janë në arrati. Nuk do të amnistohenas ata ata të cilët janë të dënuar me burg të përjetshëm dhe për vrasje. Nuk mund të amnistohen as përdhunuesit e as ata që kanë bërë vepra kundër zgjedhjeve, vepra penale kundër shtetit, kanë qenë pjesë e ndonjë bashkimi kriminel ose kanë bërë vepra kundër njerëzimit. Presidenti Ivanov ende nuk e ka nënshkruar Ligjin, por pasi që ta nënshkruajë, botohet në Gazetën zyrtare dhe në afat prej tetë ditësh hyn në fuqi.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/