` . (VIDEO) Ekspertët ekonomikë dhe afaristët kërkojnë t’i jepet fund krizës politike - TV-SHENJA

(VIDEO) Ekspertët ekonomikë dhe afaristët kërkojnë t’i jepet fund krizës politike

Kriza politike, e cila në disa momente eskalonte edhe në krizë sigurie, ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë e vendit. Kështu thanë eksperti Visar Ademi dhe afaristi Bejtullah Morina në emisionin EKONOMIKS. Andaj, Ademi thekson se është tejet e rëndësishme që kriza të zgjidhet sa më shpejtë, pasi kjo krizë ka paralizuar sektorë të veçantë, por edhe ekonominë në përgjithësi.

“Ka disa sektorë të cilët janë të varur nga politika. Para së gjithash kemi këtu sektorin e ndërtimit, i cili nëpërmjet projekteve politike siç është ‘Shkupi 2014’ dhe projekteve infrastrukturore, varshmërinë e ka të madhe nga vetë sistemi politik ose nga vetë krijimi i Qeverisë. E dyta industri është industria e ICT-së apo e informacioneve dhe teknologjive, e cila po e shërben sektorin qeveritar qoftë me mirëmbajtjen e rrjeteve apo me produkte inovative”, thotë eksperti ekonomik, Visar Ademi.

Edhe Bejtullah Morina, afarist dhe kryetar i Esnafit të Çarshisë, është i mendimit se kriza duhet të përfundojë sa më shpejtë. Ai thotë se kriza ka ndikuar në të gjitha sektorët, duke sqaruar se ka rënie të ndjeshme të konsumit të produkteve ushqimore, që paraqesin nevojë elementare të njerëzve.

“Pra nëse them për shembull se në Bit Pazar ka rënie deri në 70 për qind shitja e gjërave ushqimore, mund ta paramendosh se çka ndodh me gjërat tjera për të cilat nuk kanë nevojë qytetarët në përditshmëri. Nëse ky pushtet dhe nëse tash formohet kjo Qeveri dhe janë të interesuar që kjo gjendje pak të ndryshon dhe janë të interesuar që të bashkëjetojmë dhe bashkëndërtojmë në këtë shtet, unë besoj se është shumë e thjeshtë dhe shumë e lehtë vetëm duhet një vullnet i mirë”, thotë afaristi Bejtullah Morina.

Morina gjithashtu thotë se një lajm që vë në pikëpyetje sigurinë në vend, shkakton dëme të mëdha sidomos në sektorin e turizmit, pasi askush nuk dëshiron që me paratë e veta të udhëtojë në një vend ku ka trazira.

Abdulla Berisha /SHENJA/

 


Ekspertët ekonomikë dhe afaristët kërkojnë t’i… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme