` . (VIDEO) Do të ketë ndryshime të reja ligjore për taksistët – TV-SHENJA

(VIDEO) Do të ketë ndryshime të reja ligjore për taksistët

Taksitë e licencuar do të kenë tabela të reja me ngjyrë të verdhë, që do i bëjë ata të dallohen nga taksitë që nuk janë të licencuar. Kjo parashihet në propozimet e reja ligjore që i ka përgatitur Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe shoqatën e taksistëve, të cilat propozime tashmë janë dërguar në Kuvend. Mes tjerash, siç bëri të ditur ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, të gjitha veturat do të kategorizohen sipas asaj se sa e ndotin ambientin, duke mbajtur etiketë me ngjyra të ndryshme.

Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë

“Në kuadër të këtij ligji, të gjitha veturat do të kategorizohen sipas asaj se cilat kushte ekologjike i plotësojnë. Është paraparë etiketë me ngjyrë të gjelbërt, ngjyrë të verdhë, por njëkohësisht edhe me ngjyrë të kuqe. Është paraparë edhe një program, të cilin vitin e ardhshëm do ta sjellë ministria e ekonomisë, program ku ne do të mbështesim financiarisht të gjithë të interesuarit të cilët do të kenë për qëllim të blejnë vetura elektrike”.

Ndër masat e përfshira në këtë ligj, siç njofton ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, është heqja e etiketave të vendosura në veturë për të treguar nëse automjeti është i regjistruar.

Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme      

“Ajo që është shumë e rëndësishme për qytetarët është se e heqim etiketën që tregon automjetin e regjistruar, e cila ka qenë deri tani si detyrim dhe e cila përfaqësonte të dhëna financiare një euroshe për çdo shofer, ndërsa në thelb etiketa e këtillë nuk ka pasur asnjë rol, përveç asaj se ishte e dukshme në veturë, sepse ne edhe pse e shihnim atë etiketë përsëri e kontrollonim lejen e veturës”.

Nga propozimet e reja ligjore, kanë mbetur të kënaqur edhe taksistat. Kryetari i shoqatës së taksistëve Abdulla Rashiti thotë se në këtë mënyrë edhe për qytetarët do ta kenë më të lehtë që të njohin se cilat taksi janë të licencuara dhe cilat jo.

Abdulla Rashiti, kryetar i shoqatës së taksistëve    

“Mendojmë se me këtë ligj që do të vije së shpejti, qytetarët dhe taksistët do të shohin ditë më të mira në këtë sferë, sepse qytetarët do t’i shohin prej së largu taksisat që është taksi i licencuar, që lirisht mund të shërbehet me të”.

Siç bënë të ditur ata, ligji pritet që së shpejti të shtohet në agjendën e Kuvendit dhe pas votimit të tij, menjëherë do të hyj në funksion.

Emine Ismaili /SHENJA/