` . (VIDEO) Dita e alfabetit, në ITSHKSH hapet ekspozita e përhershme “W. Wilson” - TV-SHENJA

(VIDEO) Dita e alfabetit, në ITSHKSH hapet ekspozita e përhershme “W. Wilson”

Aktivitetet disaditore të Instituti të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me rastin e  22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, janë përmbyllur sot me hapjen e ekspozitës së përhershme “W.Wilson”. Duke folur për rëndësinë historike të kësaj date, drejtori I institutit, Skender Asani, tha se të gjithë shqiptarët kudo që janë, e kremtojnë këtë ditë si një nga festat më të mëdha të historisë dhe kulturës sonë kombëtare. Ai theksoi se në këtë ditë, shqiptarët fituan alfabetin dhe orientimin properëndimor, aq të nevojshëm prej kohësh.

Skender Asani, ITSHKSH 

“Hapja e kësaj ekspozite ka domethënie shumë të madhe, sepse në esencë është angazhimi i rilindasve tanë për emancipim dhe për kulturë dhe për ekzistencë dhe jo rastësisht, është edhe për miqësinë me Evropën dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Manifesimin e përshëndeti edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,  Talat Xhaferi, i cili përshëndeti angazhimin e Institutit që të nxjerr në pah vlerat e mëdha të kombit tonë, si dhe për kultivimin e miqësisë shqiptare-amerikane.

Talat Xhaferi, kryeparlamentar

“Vendimet e këtij kongresi, përbëjnë një nga shtyllat që ndihmuan në ngritjen e një shkalle më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, por edhe të konsolidimit të mëtejshëm të zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve, duke e zgjedhur qartë orientimin dhe kahun që do e ndjekin në të ardhmen. Dhe ky hap sa do që të duket modest për civilizimet e lashta botërore, sërish është kontribut edhe në zhvillimin e gjithanshëm të njerëzimit”.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe ambasadori francez në Shkup, Kristijan Timonie, i cili uroi kombin shqiptar për festën e alfabetit, ndërsa fjalimin e tij e fokusoi tek figura e ish presidentit amerikan, Uillson, si dhe rolin e tij në arenën ndërkombëtare.

 

Kristijan Timonie, Ambasador i Francës në Shkup

“Jam sumë i gëzuar që prezantohet kjo lloj e ekspozitës në hapësirat e këtij instituti dhe mendoj se ky institut do të duhet vazhdimisht të jetë si mbajtës titullar i këtyre vlerave. Duhet që të gjitha kombet të jenë të përfaqësuara në skenën ndërkombëtare dhe dialogjet që mund të krijohen mes tyre”.

Me rastin e përvjetorit të 12-të të këtij instituti, për herë të parë u nda edhe thirrja ‘Bashkëpunëtor i jashtëm’, e cila këtë vit u takoi  prof. dr. Xhevat Lloshit, prof. dr. Avzi Mustafës, prof. dr. Nebi Dervishit dhe prof. dr. Izaim Murtezanit.

Teuta Buçi /SHENJA/