` . (VIDEO) Dimitrov: Qeveria nuk ka përgjuar diplomatë - TV-SHENJA

(VIDEO) Dimitrov: Qeveria nuk ka përgjuar diplomatë

Maqedonia nuk ka përgjuar diplomatët serb dhe as në të ardhmen nuk do të mendojë për ndonjë veprim të tillë, ka thënë sot shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov. Ai ka hedhur poshtë akuzat e mediave dhe zyrtarëve të lartë të Serbisë, duke shtuar se nuk dëshiron që të nguten me qëndrime dhe vendime të gabuara ndaj akuzave dhe kërcënimeve të autoriteteve të larta të Serbisë.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë, as nuk ka pasur qëllim, as nuk ka dhënë instruksione, as nuk ka kryer aktivitete zbuluese kundër ose në dëm të ndonjë shteti fqinjë, përfshirë këtu edhe Sërbinë, e as që do të mendojmë në këtë drejtim në të ardhmen. Institucionet e shtetit punojnë sipas ligjit në mbrojtje të rendit kushtetues dhe në interes të qytetarëve. Pikërisht njerëzit e kësaj qeverie i kanë ndjerë pasojat e përgjimit ilegal dhe shumë mirë e dijnë çdo të thotë kjo”, ka deklaruar Nikolla Dimitrov, ministër i Punëve të Jashtme.
Dimitrov tha se qasja e Maqedonisë ndaj fqinjëve do të jetë në drejtim të zgjidhjes së kontesteve të deritanishme dhe këtë do të tentojnë ta arrijnë përmes rrugëve diplomatike dhe dialogut dhe jo përmes akuzave të ngutshme. Ministri i jashtëm i Maqedonisë njoftoi se ka tentuar që të bisedojë me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, por ky i fundit nuk i është përgjigjur në telefonatën e së shtunës. Por ai tha se falë ndërmjetësimit të ambasadës maqedonase në Shkup, janë dakorduar që biseda telefonike mes dy homologëve të realizohet gjatë ditës së nesërme.
“Thelbi në qasjen ndaj bashkëpunimit rajonal të Qeverisë bazohet në zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë përkundër krijimit të problemeve. Kjo është politika e dyerve të hapura dhe zgjidhjeve, në qasje të re dhe konstruktive ndaj fqinjëve. Këto janë zgjidhje që çojnë në përparimin e fqinjësisë së mirë, partneritetit dhe bashkëpunimit me vendet që na rrethojnë”, ka shtuar Dimitrov.
I pyetur për qëndrimin e Maqedonisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, Dimitrov tha se është herët për të marrë një vendim pasi Kosova ende nuk ka aplikuar. Sipas tij, aplikimi mund të ndodhë vitin e ardhshëm dhe deri atëherë mund të ndryshojnë edhe rrethanat dhe marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje.
Arben Zeqiri /SHENJA/

Dimitrov: Qeveria nuk ka përgjuar diplomatë by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme