` . (VIDEO) Bexheti akuzon Zaevin për presion - TV-SHENJA

(VIDEO) Bexheti akuzon Zaevin për presion

Kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti thotë se kryeministri Zoran Zaev i ka bërë atij presione që të ndikojë tek anëtarët e Këshillit Gjyqësor Republikan, për të ndërruar një kryetar të një gjykate. E për këtë sipas pohimeve të tij, Zaev i ka dhënë kohë që ta bëjë deri në shtator. Ai shton se Zaev i është paraqitur në telefon më datë 17 korrik. Ndërsa i pyetur se përse nuk ka denoncuar presionet e kryeministrit në polici, Bexheti tha se ka qenë në pushim.

Blerim Bexheti, kryetar i komunës së Sarajit
“Më 17 korrik kryeministri Zaev më lajmërohet dhe më kërkon që unë të ndikoj tek anëtarë të caktuar të Këshillit Gjyqësor, se si të votojnë, për një pikë të caktuar në rendin e ditës, që normalisht unë i thash se unë nuk mundem ta bëjë këtë, sepse nuk është mirë të merremi me këtë punë. Unë nga praktika ime ju them se lidhshmëria është kjo, dy javë pas asaj bisede telefonike Komisioni për Antikorrupsion, në një procedurë jo standarde, ashtu në shpejtësi e bëri atë”.

Sa i përket paralajmërimit të Antikorrupsionit se do të inicojë padi ndaj tij për shkak të ndërtimeve në Matkë, Bexheti pretendon se kjo është bërë përshkak se ai ka refuzuar kërkesën e kryeministrit, për të ndikuar në zgjedhjen e një kryetari të gjykatës.

Blerim Bexheti, kryetar i komunës së Sarajit
“Ky komision, u qas në një proces manipulativ fillimisht me opinionin, pastaj keqpërdorim të funksionit të tyre, por për këtë paraqitjet penale kundër anëtarëve të këtij Komisioni të cilët votuan për një gjë të këtillë, i kam të gatshme. Por, sigurisht i pres iniciativat e tyre, sepse unë ende nuk jam njoftuar, vetëm atë ditë ashtu në mënyrë spektakolare e kuptova, nuk kam marrë asnjë lloj letre nga ana e tyre dhe as nga institucionet se çfarë iniciative është ngritur”.

Ndryshe, para disa dite Komisioni Antikorrupsion paralajmëroi se do të ngritin procedure kundër kryetarit të Sarajit Blerim Bexhetit, për përndjekje penale për rastin me platformat e vendosura në mënyrë të paligjshme në Matkë.

Emine Ismaili /SHENJA/