` . (VIDEO) BESA: Zvërlevski të shkarkohet se ishte antishqiptar - TV SHENJA

(VIDEO) BESA: Zvërlevski të shkarkohet se ishte antishqiptar

Lëvizja BESA do të votojë për shkarkimin e Marko Zvërlevski, për shkak të qasjes antishqiptare të Prokurorisë së Përgjithshme publike. Kështu deklaroi deputeti Fadil Zendeli i cili tha se sipas tyre, Zvërlevski është shkarkuar që me krijimin e Prokurorisë Speciale. Nga Lëvizja BESA thonë se më irritues është dhe arsyetimi jo në nivel i një Qeverisë së Zaevit. Kjo për faktin që zëvendësministri Oliver ristovski i ka përmendur vetëm rastet të cilat kanë qenë në dëm të palës Maqedonase ose LSDM-së por jo edhe të shqiptarëve.

“Ndërkaq të gjithë e dimë se viteve të fundit në Maqedoni janë zhvilluar procedura gjyqësore, që shqiptarët i konsiderojnë të montuara, që kanë përfunduar me vendime skandaloze, ku viktima kanë qenë kryesisht shqiptarët, siç janë SOPOTI e MONSTRA, ndërsa pikërisht Prokuroria e Përgjithshme ka qenë protagoniste e procedurave gjyqësore kundër shqiptarëve. Megjithatë, asnjë nga këto nuk janë pjesë e arsyetimit të qeverise. Prandaj kjo vetvetiu e imponon pyetjen se a qëndron edhe kjo qeveri pas atyre vendimeve skandaloze të Prokurorisë së Përgjithshme ndaj shqiptarëve?”, deklaroi Zendeli.

Sipas deputetit të Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, sikur Ministria e Drejtësisë të kishte qenë e vëmendshme, do të kishte mundësi t’i përmendë edhe rastet ku Prokuroria nuk ka vepruar konform kompetencave ligjore, siç ishin rrahjet që u ndodhnin nxënësve dhe të rinjve shqiptarë rrugëve të Shkupit, apo rastet kur shqiptarët për pjesëmarrje në protestë u dënuan me disa vite burg.

“A mos ndoshta BDI-ja, ashtu si më 2013 kur e votoi emërimin e Zvërleskit, mes tjerash edhe ai që sot është Kryetar i Kuvendit të R. së Maqedonisë, edhe sot dëshiron të fshihet nga përgjegjësia? Në fakt, nëse ata janë penduar pse e kanë votuar Zvërleskin, si nuk ndodhi që së paku një herë të kërkojnë llogari nga ai dhe pse as në arsyetimin e Ministrisë së Drejtësisë, ku ata udhëheqin, nuk përmendet qasja antishqiptare e Prokurorisë së Përgjithshme? A bëhet fjalë për anashkalim e mospërfillje, si në çdo qeverisje të tyre, apo mos janë pjesë e skenarëve të errëta, që tash nuk kanë guximin të deklarohen haptazi?”, tha Zendeli.

Sipas Lëvizjes BESA është e dukshme se shkarkimi i Zvërlevskit nuk është në listën e BDI-së. Këtë sipas deputetit Zendeli e dëshmon edhe mosprezenca e ministrave të BDI-së në seanca ku merren vendime të rëndësishme.

Mefail Ismaili /SHENJA/

BESA: Zvërlevski të shkarkohet se ishte… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme