` . (VIDEO) Banorët për pikëkalimin kufitar Bellanoc- Stançiq: Boll e zvarritët hapjen e kufirit – TV-SHENJA

(VIDEO) Banorët për pikëkalimin kufitar Bellanoc- Stançiq: Boll e zvarritët hapjen e kufirit

“Është kjo pika kufitare Bellanoc-Stançiq dhe vendi në të cilin duhet të ndërtohet objekti kufitar. Rruga si nga ana e pjesës së Maqedonisë ashtu edhe nga ana e pjesës së Kosovës tashmë është asfaltuar, mirëpo që banorët të mund të kalojnë kufirin si duket duhet të presin dhe gjatë kohë, përshkak të mungesës së objektit kufitar, i cili ka kohë që po zvarritet”.

Hapja e këtij vendkalimi kufitar për një kohë të gjatë po zvarritet, e banorët e kësaj ane ka vite që po presin përfundimin e këtij projekti. Banorët thonë se kanë shumë familjarë dhe miq në Kosovë, andaj ata kërkojnë që të përshpejtohen procedurat për të finalizuar projektin. Ata thonë se janë mërzitur nga premtimet e vazhdueshme për hapjen e kësaj pike kufitare.

Banor:

“Mendoj se kufiri është dashur të hapet para dy vitesh. Kjo është një vonesë shumë e madhe për banorët e kësaj ane dmth për banorët e dy anëve të kufirit edhe të Kosovës edhe të kësaj ane për arsye se populli ka nevojë për hapje sa më të shpejtë sepse procedurat burokratike nga dy anët topi hudhet herë në njërën anë e herë në anën tjetër, që don të thotë se popullata pëson”.

Banor: 

“Procedurat e hapjes së kufirit duhet të përshpejtohen sepse këto dy anë i lidhë me miqësi me shoqni, por edhe janë të të njejtit komb dhe mendoj se duhet të hapet sa më shpejtë ky kufi…kjo punë është zvarritë shumë gjatë dhe kush e din se edhe sa do të zvarritet”.

Banor:

“Rruga është ndërtuar, jemi të kënaqur, që të hapet kufiri sepse kemi familje në Gjilan, Zhegër, kemi martesa…Bukur shumë presim”.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, dje tha se Qeveria e Maqedonisë i ka kryer të gjitha detyrimet e saja rreth kësaj çështjeje. Edhe ministrja për Çështje Evropiane e Kosovës, Dhurata Hoxha, tha se janë duke ndërmarrë masa  për ta përshpejtuar këtë. Përfaqësuesit e qeverive të të dyja vendeve, thonë se kompetenca për vendosjen e objektit kufitar, është tek Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Emine Ismaili /SHENJA/