` . (VIDEO) Atletikë/ Prezantojmë talentin Ali Shabani – TV SHENJA

(VIDEO) Atletikë/ Prezantojmë talentin Ali Shabani

Atletika shpesh quhet mbretëresha e sporteve, ndonëse në vendin tonë nuk ka trajtimin e merituar në aspekt të kushteve, infrastrukturës por edhe publicitetit medial e që ndikon direkt në interesin e të rinjve për tu marrë me këtë aktivitet. Por gjithsesi se dëshira nuk mungon dhe me gjithë mangësitë që pengojnë ngritjen e duhur, ka të rinj insistues që ushtrojnë dhe me potencialin që tregojnë paralajmërojnë suksese në të ardhmen. Klubi i Atletikës Liria nga Shkupi vite me radhë është duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për kultivimin e atletëve të rinj, duke u bërë një çerdhe për shumë talent të rinj të këtij sporti. Ali Shabani është një prej sportistëve më premtues në këtë disiplinë, pasi talenti i tij i kombinuar me punën e palodhshme që është duke bërë jep shpresë për arritje më të mëdha.

”Me këtë sport merrem që dy vite, shkaku që unë të merrem me këtë sporti nuk ishte dikush, por unë vet kam qenë ai që e kam përcjell atletikën dhe e kam vazhdu”, deklaroi për TV SHENJA, Ali Shabani, atlet i K.A Liria.

Talenti i Shabanit është i pakontestueshëm sipas trajnerëve të tij, ndërsa rezultatet e arritura në periudhën që lëmë pas konfirmojnë se me të drejtë nga ai në të ardhmen mund të pritet edhe më shumë. Shabani është shpallur kampion i vendit në disiplinën sprint në 200 metra, ndërsa vitin e kaluar doli nën-kampion në sprint 100 metra dhe kërcim për së gjati.

Dashuria e madhe për këtë sport dhe dëshira për të sfiduar veten është motivi i vetëm i Shabanit dhe shumë të rinjve tjerë, pasi realisht për momentin të paktë janë ata që ndihmojnë në drejtim financiar këtë sport.

”E vështirë është pak, financimi është shumë i dobët, përkrahja është shumë e dobët, përveç stadiumit që e kemi të lirë që të ushtrojmë”, tha më tej ai.

Njerëzit e determinuar për sukses karakterizohen me optimizëm dhe insistim për të vazhduar përpara, pa marrë parasysh vështirësitë e natyrave të ndryshme që shfaqen gjatë rrugëtimit profesional. Shabani e din se çka e pret në aspekt të vështirësive për të ardhmen, por duket i bindur për të vazhduar të punojë në drejtim të realizimit të ëndërave të tij.

” Për dy vite jam i kënaqur shpresoj edhe më mirë vitet tjera. Objektivat në të ardhmen janë që të bëj rezultate më të mira me bë përmirësim të rezultatit, ndërsa sa i takon idollit tim ai është Usain Bolti. Shpresoj që një ditë të bëhem si, nuk është diçka e çuditshme, me punë bëhet gjithçka”, tha Shabani.

Edhe pse duket i përkushtuar maksimalisht ndaj atletikës në përgjithësi, i riu nga Shkupi në drejtim të realizimit të sukseseve sa më të mëdha ngadalë fokusohet në disiplinën ku ai nuk njeh humbje dhe ka marrë vetëm vende të para.

”Në disiplinën 200 m jam më i suksesshëm, ku kam edhe më shumë pikë prej të gjithë në Maqedoni. Jam duke ushtruar vetëm në disiplinën 200 m”, deklaroi Shabani.

Rezultatet e Shabanit kanë bërë që ai të përfshihet në listën e atletëve të cilët do të marrin pjesë Kampionatin Evropian Liga e 3-të në Maltë, ndërsa do të pjesë edhe  Kampionatit Ballkanik për senior në Novi Pazar të Serbisë më 15-të dhe 16-të Korrik. Pjesëmarrja në këto evente pritet të japin shtytje të re karrierës së Shabanit, i cili pretendon një ditë të jetë bartës i medaljave nga gara të rëndësishme si Kampionatet Botërore dhe Evropiane.

Samir Sinani /SHENJA/

Atletikë/ Prezantojmë talentin Ali Shabani by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme