` . (VIDEO) ASH zbulon skandalin: Maqedonasit punësohen në vend të shqiptarëve - TV-SHENJA

(VIDEO) ASH zbulon skandalin: Maqedonasit punësohen në vend të shqiptarëve

Aleanca për Shqiptarët ka publikuar një skandal me punësimet në administratë publike, ku përmes një vendimi për punësim akuzojnë se në vend të një shqiptari dhe një romi janë punësuar dy maqedonas. Zëdhënësi i kësaj partie, Shefik Duraku, publikoi vendimin për dy vende pune në Spitalin e specializuar “13 Nëntori” në Shkup, duke akuzuar se me të zbulohet edhe shkaku kryesor se përse nuk rritet përfaqësimi i shqiptarëve në administratën publike.

Shefik Duraku, zëdhënës i ASH-së
“Në vendet e parapara sipas metodologjisë së njohur Ballancer, këto dy vende kanë qenë të parapara për punësimin e një shqiptari dhe një romi. Mirëpo këtu në vendim si rom është punësuar Vllatko Kalçinovski dhe si shqiptar është punësuar Tomisllav Jankullovski. Unë nuk kam dëgjuar deri më sot që ndonjë Tomisllav Jankullovski të jetë shqiptar. Mirëpo në këtë rast është përgjegjësia e Qeverisë, në fakt e Ministrisë për Administratë Publike e cila manipulon me metodologjinë e njohur Ballancer e cila ka rolin për të ruajt përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në administratë”

Duraku tha se ky rast rrit dyshimet edhe për të dhënat e përgjithshme të përfaqësimit të shqiptarëve në administratë. Ai tha se me këtë skandal ata dyshojnë se edhe përqindjet e shqiptarëve të publikuara zyrtarisht mund të jenë të plotësuara me maqedonas dhe pjestar të bashkësive të tjera etnike.

Shefik Durau, zëdhënës i ASH-së
“Dëshmia që kemi prezentu sot është një argument që do të demantojë çdo përfaqësues qoftë nga pushteti që do të dalë nesër në opinion dhe do të përfaqësojnë ndonjë shifër të përfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike, kjo dëshmi atë numër e bën irrelevant, të pabesueshëm, për shkak se nëse e thjeshtësojmë pak për opinionin se çka do të thotë kjo, statistikisht rritet numri i shqiptarëve në administratë ndërsa defakto në vend të shqiptarëve punësohen maqedonas. Dhe nëse nesër dalin të dhëna zyrtare nga Entipër Statistikë ato më nuk do të jenë të besueshme”

Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët tha se ky rast është keqpërdorim i programit Ballancer, por edhe vetë ky mekanizëm për këtë parti është diskriminues. Sipas Durakut, Ballancer parasheh 25 për qind të jenë shqiptar gjatë punësimeve të reja dhe ky mekanizëm nuk lejon rritjen e përqindjes së shqiptarëve në përgjithësi. Ai u zotua se ndryshimi i këtij mekanizmi do të jetë një nga prioritetet e ASH-së në programin e zgjedhjeve të ardhëshme parlamentare. Arben Zeqiri /SHENJA/