` . (VIDEO) Ambasada gjermane: BE t’i mbajë premtimet - TV-SHENJA

(VIDEO) Ambasada gjermane: BE t’i mbajë premtimet

 

Gjermania sërish ka reaguar në lidhje me refuzimin e BE-së për t’i dhënë datë Maqedonisë së Veriut për fillim të negociatave, gjatë samitit të javës së kaluar në Bruksel. Ambasada gjermane në Shkup, nëpërmjet një komunikate, ka porositur se fillimi i negociatave qasëse të Bashkimit Evropian me Republikën e Maqedonisë së Veriut është dhe vazhdon të jetë çështje thelbësore e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Ambasada gjermane

“Gjermania është veçanërisht e lidhur me Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në aspektin politik por edhe në atë ekonomik dhe shoqëror, përmes shumë njerëzve nga ky rajon që jetojnë tek ne, qëndron në reagimin e ambasadës gjermane në Shkup. Është në interes të interesit evropian që të integrohen shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Që kjo të ketë sukses, duhet t’i përmbahemi premtimeve tona, perspektivën evropiane të këtyre vendeve ta zbatojmë bashkërisht. Ky është parakushti më i mirë që të avancohen reformat dhe zhvillimi i shtetit të së drejtës, dhe me këtë ky është edhe parakushti më i mirë për mirëqënie, stabilitet dhe siguri brenda në Evropë”.

Më tej, nga ambasada gjermane kanë thënë se, Bundestagu gjerman në vendimin e tij të 26 shtatorit, ka përmbushur këtë detyrim dhe se pozicioni gjerman nuk ka ndryshur dhe ai edhe më tej duhet të shërbej si impuls që të tjerët të mendohen.

Ambasada gjermane

“Edhe ne jemi për atë që, procesi qasës në tërësi të jetë më transparent dhe më i mirë. Por, po ashtu jemi të bindur se ia vlen t’i ofrohet perspektivë Republikës së Maqedonisë së Veriut . Gjermania edhe më tej do të mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së, siç e ka bërë çdoherë. 

Po ashtu, Gjermania ka inkurajuar vendin që të intensifikoj reformat dhe me atë t’i bind të gjithë ata të cilët kanë akoma dyshime se, vendi i saj është në BE.

Teuta Buçi /SHENJA/