` . (VIDEO) Alternativa: Platforma për parandalimin e shpërnguljes “Vatra jonë- Alternativa jonë” - TV-SHENJA

(VIDEO) Alternativa: Platforma për parandalimin e shpërnguljes “Vatra jonë- Alternativa jonë”

“Vatra jonë – Alternativa jonë” është titulli i platformës së re politike të cilën e publikoi sot Alternativa, e që ka për qëllim promovimin e fushatës ndërgjegjësuese për parandalim të shpërnguljes. Nga kjo parti njoftojnë se pas një debati disaorësh, ky vendim ka kaluar mbrëmë në Kuvendin e kryesisë qendrore të partisë. Bëhet fjalë për një dokument ku janë identifikuar arsyet që e shkaktojnë migrimin dhe masat që duhet të ndërmerren për parandalimin e tij. Nga kjo parti nënvizojnë se kjo është pikënisja e fushatës ndërgjegjësuese por edhe identiteti i sintetizuar programor i Alternativës.

Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës
“Alternativa konsideron se në kohën kur procesi i integrimit të vendit ka marrë rrugë të mbarë dhe është një shteg që nuk ka prapakthim, tashmë nuk është vështirë të konstatohet se, përkundër problemeve të pambyllura politike, në kuptim të marrëdhënieve ndëretnike, por edhe korrupsionit të lartë, si edhe mungesës së shtetit ligjor, problemi më i madh i Maqedonisë së Veriut e, rrjedhimisht, edhe i shqiptarëve këtu, është shpërngulja masovike e të rinjve dhe zbrazja e vendbanimeve. Duke mos i mbyllur sytë para këtij problemi, AlternAtivA – si parti e spektrit të djathtë, që angazhohet për ta ruajtur praninë e popullsisë në këto troje – konsideron se parandalimi i shpërnguljes është detyrim i joni historik, etnik, kulturor dhe religjioz. “

Ata sqarojnë se kjo fushatë do të realizohet në tri faza. Aksion për ndërgjegjësimin kundër migrimit dhe komunikimi me qytetarët për të dëgjuar arsyet e kësaj dukurie bën pjesë në fazën e parë. Në të dytën përfshihen tribuna, panele dhe debate me ekspertë të fushave të ndryshme. Ndërsa në fazën e fundit Alternativa do t’i prezantojë Qeverisë Strategji shtetërore për parandalim të shpërnguljes së popullsisë.

Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës

“Në fazën e fundit, pasi të përmblidhen të gjitha të dhënat e dy fazave të mësipërme, AlternAtivA do t’ia propozojë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut një “Strategji shtetërore për parandalimin e shpërnguljes së popullsisë”, e cila pasi të miratohet, do të fillojë me implementimin e masave të propozuara.

Drejtuesit, funksionarët dhe përfaqësuesit e tjerë të partisë, prej sot do të jenë në terren për të bashkëbiseduar me qytetarët dhe për ta dëgjuar drejtpërdrejt zërin e tyre për këtë problematikë. Gashi tha se si mundësia e vetme e përfaqësimit autentik të qytetarëve është që të dëgjohet zëri i tyre në kontakt të drejtpërdrejtë me ata.

Ajnur Bafqari /SHENJA/