` . (VIDEO) Aleanca kërkon shkarikimin e Bujar Osmanit – TV-SHENJA

(VIDEO) Aleanca kërkon shkarikimin e Bujar Osmanit

Pas publikimit të 6 rasteve të reja nga Prokuroria Speciale Publike, Aleanca për Shqiptarët ka bërë  thirrje për shkarkimin e menjëhershëm të Bujar Osmanit nga posti i zëvendës kryeministrit për eurointegrime për shkak të dyshimeve të ngritura ndaj tij nga PSP. Në njoftimin me shkrim, Aleanca për Shqiptarët ka përshëndetur njoftimin e djeshëm nga Zyra e Prokurorit Special Publik për një valë të re hetimeve në rastet e keqpërdorimeve të zbuluara nga skandali i përgjimeve.

Aleanca për Shqiptarët

“Veçanërisht e mirëpritur është padia ndaj Zëvendës Kryeministrit për çështjet evropiane, Bujar Osmani, e cila shënon hapjen e rastit të parë domethënës kundër një zyrtari të Bashkimit Demokratik për Integrim. Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje Kryeministrit Zaev që menjëherë të shkarkojë Bujar Osmanin duke pasur parasysh seriozitetin e akuzave të ngritura kundër tij për keqmenaxhim të fondeve shtetërore në vitin 2010, ndërsa ai ishte Ministër i Shëndetësisë”

Ata kanë shtuar se pas këtyre hetimeve, Bujar Osmani nuk e ka legjitimitetin moral për të udhëhequr agjendën e integrimit evropian e as strategjinë e qeverisë për të zbatuar prioritetet e reformave urgjente të BE- së që rrjedhin nga Marrëveshja e Përzhinos, të cilat janë kryesisht të lidhura me reformën e sektorit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Nga ana tjetër Zv/kryeministrja e Qeverisë, Radmilla Shekerinska ka siguruar se të gjithë qytetarët në shtet janë të barabartë para ligjit dhe se ata si Qeveri nuk do të përzihen në punët e organeve të cilët duhen të jenë të pavarura.

Radmilla Sheqerinska, zv kryeministre

“Nga fillimi i mandatit të kësaj Qeverie kemi treguar se i përmbahemi rregullës që të mos përzihemi në punën e prokurorive as gjyqësorit dhe kjo u dëshmua mbrëmë. Zv/kryeministri Bujar Osmani kishte deklarat për opinionin se i përshëndet hetimet dhe se nuk ka çfarë të frikësohet dhe pret që të njëjtën ta dëshmojë edhe hetimi. Po dëshmojmë se sundimi i drejtësisë mund të funksionojë vetëm nëse vlen për të gjithë. Po dëshmojmë se nuk kërkojmë trajtim special dhe jemi të bindur se vetëm në mënyrë të tillë Maqedonia mund të shkoj para”

Zëvendës kryeministri për euro integrime, Bujar Osmani, ishte një nga të dyshuarit në rastin “Pacienti” që u shpalos dje nga Prokuroria Speciale Publike e ku dyshohet për manipulim të tenderëve gjatë ndërtimit të disa institucioneve shtetërore në vend.

Arben Zeqiri /SHENJA/