` . (VIDEO) Akademia thirrje partive të mos nxisin tensione – TV-SHENJA

(VIDEO) Akademia thirrje partive të mos nxisin tensione

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë fton partitë politike në vend që të jenë të kujdesshme dhe të mos nxisin tensionet ndëretnike dhe brenda etnive. Akademikët propozojnë që sa më shpejtë vendi t’ju rikthehet reformave që kanë të bëjnë me kthimin e shtetit të së drejtës, ndërsa temat e hapura që kanë të bëjnë me raportet ndërmjet bashkësive etnike të zgjidhen në kuadër të institucioneve. Në mbledhjen që i ishte dedikuar 50-vjetorit të themelimit, kreu i ASHAM, akademiku Taki Fiti lexoi një deklaratë në të cilën mes tjerash kërkohet që edhe propozimet e partive të jenë transparente dhe në debat të përfshihen edhe ekspertët.
“Situata është shumë serioze dhe e tensionuar. Është e patjetërsueshme që subjektet politike në Maqedoni të kuptojnë se mjafton vetëm një shkëndijë e vogël për t’i ndezur përplasjet ndëretnike dhe brendaetnike. Mungesa e transparencës ia shkurton mundësitë ekspertëve që të shprehen për bazën kushtetuese dhe cilësinë e zgjidhjeve të ofruara”, ka deklaruar Taki Fiki, kryetar i ASHAM.
Atmosferën në sallë e tensionoi akademiku Mitko Maxhunov, i cili në fjalimin e tij kërkoi që të dënohet platforma e përbashkët e partive shqiptare, pasi vlerëson se ajo rrezikon identitetin maqedonas dhe shqiptarizimin e Maqedonisë.
“Dygjuhësia çon drejt shkatërrimit, shqiptarizimit dhe muslimanizimit të shtetit dhe popullit tonë, si dhe institucioneve, mes tyre edhe të ASHAM-së. Në periudhë më të gjatë populli maqedonas ka bërë kompromise para bashkësisë ndërkombëtare dhe bashkëqytetarëve shqiptarë, nga principet të cilat janë thelbësore për ekzistencën tonë. Kulminacioni i kësaj është Marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimi i preambulës dhe amendamentit 4 të Maqedonisë, ndërsa fillimi ishte me pranimin e referencës së turpshme IRJM. Platforma tani 100-fish më shumë i lëndon ndjenjat e maqedonasve nën përkujdesje të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Mitko Maxhunkov, akademik.
Akademikët shqiptarë, Alajdin Abazi dhe Izet Zeqiri, u distancuan nga deklarata e Maxhunkovit dhe e dënuan fjalimin e tij i cili u vlerësua si i dëmshëm për të gjitha të arriturat e deritanishme në vend.
“Përmendni Naçërtanien nga shekulli XIX. Këtë nuk mund ta thotë një akademik, të gjithë këtu duhet të distancohemi, unë personalisht distancohem edhe nga ajo që thatë këtu për Kushtetutën, enciklopedinë e kështu me radhë. Ju sot bëni revizorin e gjithçkaje të mirë në marrëdhëniet ndëretnike, kërkoni që gjithë ajo të hidhet dhe të kthehemi në vitet e 90-ta, me diçka më 1850, me Kushtetutën në 90-tën, në vitin 2001”, ka deklaruar Alajdin Abazi, anëtar i ASHAM.
“Unë nuk pajtohem edhe me konstatimin se ekziston platformë shqiptare. Ajo është një deklaratë e partive politike me disa çështje që burojnë nga platformat parazgjedhore të atyre partive. Kështu që unë distancohem dhe besoj se ne si të rinj duhet patjetër ta mbshtesim Maqedoninë dhe të distancohem i nga gjithë ato qëndrime që në një mënyrë nuk kanë perspektivë”, u shpreh Izet Zeqiri, anëtar i jashtëm i ASHAM.
Në qëndrimet e tij Maxhunkov ngeli i vetëm dhe pa përkrahje nga anëtarët e tjerë të ASHAM. Disa nga akademikët thanë që nuk duhet lejuar që ky institucion të hyjë në loja të politikës ditore, ndërsa akademikja Katica Qalufkova, fjalimin e Maxhunkovit e vlerësoi si histerik, nacionalist dhe që tha se është në shërbim për partive që duan t’i ikin ballafaqimit me drejtësinë.
“Vlerësoj se bëhet fjalë për manipulim dhe dyshoj se vetë e kanë krijuar platformën për të ruajtur pushtetin dhe për t’u amnistuar për krimet e bëra të cilat nuk janë vetëm financiare, por edhe institucionale dhe të cilat kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe lëvizjen e shtetit. Kështu që i gjithë diskursi histerik nacionalist përmban një taktikë për defokusim nga problemi kryesor: kriminaliteti, liria e shprehjes dhe transferi i qetë i pushtetit”, ka thënë Katica Qulafkova, anëtare e ASHAM.
Në mbledhjen e sotshme të ASHAM u diskutua për projektet e realizuara vitin e kaluar dhe për projektet e planifikuara për vitin 2017 që kanë të bëjnë me hulumtime dhe studime akademike-shkencore.

Arben Zeqiri /SHENJA/


Akademia thirrje partive të mos nxisin tensione by tvshenjaofficial