` . (VIDEO) Ahmeti: Nuk na shqetësojnë ofendimet për shqiptarët nga 'bombat' - TV-SHENJA

(VIDEO) Ahmeti: Nuk na shqetësojnë ofendimet për shqiptarët nga ‘bombat’

Edhe pse BDI është në pushtet për 8 vite radhazi, kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, thotë se fushatën do ta fokusojnë në kërkimin e barazisë. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ahmeti shprehet se me Marrëveshjen e Ohrit, shqiptarët fituan lirinë, por pranon se ende nuk kanë arritur të fitojnë edhe barazinë. I pyetur se pse nuk është arritur kjo barazi përgjatë periudhës që BDI është në pushtet, Ahmeti thotë se u është dhënë prioritet çështjeve më të rëndësishme.

Është punuar në vazhdimësi për barazi, mirëpo ne kemi pasur çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për të përmbyllur, e të cilat çështje burojnë nga Marrëveshja e Ohrit për materializimin e kësaj marrëveshjeje – duke filluar që nga liria kombëtare, në radhë të parë, që u ka munguar shqiptarëve, e deri te përfaqësimi i drejtë, ekonomia. Në aspektin ekonomik është dashur shumë më shumë kohë dhe investime për të qenë pjesë e barabartë”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti thotë se koalicionimi i mundshëm me VMRO-në apo LSDM-në, nuk varet nga BDI-ja, por nga votuesit maqedonas. Ahmeti tha se nuk e shqetësojnë as fyerjet dhe nënçmimet drejtuar shqiptarëve nga ana e anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv të VMRO-së, që u dëgjuan në “bombat” e opozitës.

Jo, për ne nuk është shqetësuese absolutisht, sepse shqiptarët dinë se për kë duhet të përcaktohen. Për fat të keq, deri më tani nuk ka ndodhur akoma që një parti politike maqedonase t’i mbrojë të drejtat e shqiptarëve“, theksoi Ahmeti.

Duke folur për Prokurorinë Speciale, Ahmeti shprehet i rezervuar, duke thënë se pret që Prokuroria Speciale të kryejë punën e saj në mënyrë profesionale, por thekson se do të jetë shumë e dëmshme për shtetin në qoftë se puna e saj merr kahje të njëanshme. /SHENJA/

Postime të Ngjajshme