` . (VIDEO) 365 ditë pa mundësin Amir Rexhepi! – TV SHENJA

(VIDEO) 365 ditë pa mundësin Amir Rexhepi!

19 prilli figuron si ditë zie për sportin shqiptar të Maqedonisë në përgjithësi dhe atë të mundjes në veçanti. Një vit më parë në vazhdën e angazhimeve maksimale dhe mobilizimit të gjithanshëm për grumbullimin e mjeteve për mjekimin e 19-të vjeçarit Amir Rexhepi, tani më i ndjeri u dorëzua para sëmundjes së leukemisë, duke humbur betejën më të rëndësishme dhe të fundit në jetën e tij fatkeqësisht të shkurtër. Sot mbushen plotë 365 ditë pa Amir Rexhepin, djalë i shkëlqyeshëm dhe sportist shembullor që njihej nga familjarët, shokët, profesorët e trajnerët, por edhe të gjithë ata që e njohën qoftë edhe nga kontakti më i vogël me të. Një vit sikur një ditë, me vuajtjen dhe pikëllimin që vazhdojnë të kenë forcën e njëjtë si një vit më parë, ndërsa do të vazhdojnë për shumë vite tjera për një djalë dhe sportist të ri që në moshë shumë të re la hapur gjithçka që e rrethonte në këtë botë, për të kaluar në botën e përjetshme. Ndërsa pas vetes la shembullin e një djaloshi shembullor, fytyrë çiltër, sportist model që pretendonte shumë dhe medalje e arritje që tani më mbeten në mendjen e secilit që e njohën dhe punuan me të.

“Ne gjithmonë do ta përkujtojmë atë si një mundës i sukseshëm dhe i edukuar. Çdo herë që vimë në stërvitje, na mungon Amiri me ato sjelljet dhe meritat që i ka pasur. Sigurisht se edhe vëllau i tij është pjesë e klubit tonë, kanë ushtruar bashkë, por Amiri çdo herë më i dalluari nga të gjithë”, tha trajneri i Klubit të Mundjes “LIRIA”, Sedat Baftiu.

Fjalë miradie dhe dhimbje të madhe për humbjen e madhe që solli vdekja e parakoshme e Amirit shpreh edhe presidenti i Federatës së Mundjes së Maqedonisë, Betim Vrenezi,  që kujton të ndjerin Rexhepi si një prej mundësve më të dalluar.

“Çdo herë që paraqitemi në palestër apo në çdo garë gjatë tërë vitit që kemi marrë pjesë, me të vërtet shumë është ndjerë mungesa e tij. Por duhet ta dimë se jeta është asi lloji që një ditë do të vdesim të gjithë, mirëpo koha dhe mosha e tij na preku më shumë. Kështu që në çdo garë në çdo moment në çdo aspekt e përkujtojmë, na mungon ajo butësia, buzqeshja e tij, urtësia që ka qenë një mundës me talent të madh por edhe një mundës i disiplinuar që ka mundur ta tregoj disiplinën edhe ti edhe në garat që ka marrë pjesë, nëpër gara evropiane dhe botërore si një mundës shembullor”, tha kryetari i FBM-së, Betim Vrenezi.

I ndjeri Rexhepi ndërroi jetë në moshën më të re pasi nuk arriti të mund sëmundjen e leukemisë. Edhe përkundër shumë iniciativave për grumbullim të mjeteve financiare që do të ndihmonin kurimin, ai fatkeqësisht nuk arriti t’i shpëtojë më të keqes, duke u dorëzuar për tu larguar përfundimisht nga kjo botë në lulen e rinisë. S’do mend se dhimbja dhe mungesa e tij nuk do të shuhen kurrë, mirëpo me besim në Zot familjarët dhe gjithë që njohëm Amirin, do ta kujtojmë atë me krenari dhe mburrje që mundëm ta kemi në mesin tonë.

Aziz Sahiti /SHENJA/

 

Postime të Ngjajshme