` . (VIDEO) 120 të infektuar, 16 të shëruar dhe dy të vdekur nga koronavirusi - TV-SHENJA

(VIDEO) 120 të infektuar, 16 të shëruar dhe dy të vdekur nga koronavirusi

Vendi ynë shënon numër alarmant dhe njëkohësisht numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus, për 24 orë. Nga 953 testet e realizuara janë shënuar 120 raste të reja. Kjo shifër e tejkalon numrin e 15 prillit, kur ishin raportuar 107 raste me çka mendohej se ishte shënuar kulmi i pandemisë. Ditëve të fundit ky numër sa vjen e rritet. Një ditë më parë u shënuan 101 të infektuar.

Shkupi vazhdon të mbetet qyteti më i infektuar. Janë shtuar 67 raste të reja. Kumanova, Shtipi dhe Tetova janë tre vendet që poashtu shënojnë shifra të mëdha, me 19, 16 dhe 9 të konfirmuar me Covid-19. Prilepi regjistron 4 raste, Velesi 2, ndërsa Gostivari, Negotina dhe Strumica nga 1.

Ministria e Shëndetësisë

“Sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik, në Shkup janë 395 raste aktive me Covid 19. Sipas komunave, 97 janë në Çair, 47 në Saraj, 47 në Aerodrom, 47 në Butel, 38 në Gazibabë, 24 në Qendër,  17 në Karposh, 17 në Kisella Vodë, 13 Studeniçan, 11 Gjorçe Petrov, 10 Ilinden, 9 Shuto Orizare, 8 Haraçinë, 5 Petrovec  dhe 2 në Sopishte”.

Ministria e Shëndetësisë njofton se kanë ndërruar jetë 2 persona.

Ministria e Shëndetësisë

“Në Klinikën për  Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile ndërroi jetë një paciente 65 vjeçare e hospitalizuar me 28 maj. Në Spitalin ‘8 Shtatori’ ndërroi jetë një pacient 69-vjeçar,  i hospitalizuar më 1 qershor”.

Instituti për Shëndet Publik regjistroi 16 pacientë të shëruar. Sipas qyteteve, 8 janë nga Shkupi, 3 nga Shtipi, 2 nga Prilepi dhe nga 1 në Tetovë, Veles dhe Manastir.

Deri më tani, në vend janë kryer gjithsej 33 114 teste për COVID-19. Nga numri i përgjithshëm i testeve të kryera gjatë 24 orëve të fundit, 2 teste janë bërë në kuadër të skriningut në kopshtet e fëmijëve në Shtip dhe nuk ka rezultat pozitiv për COVID-19.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 2611, numri i pacientëve të shëruar është 1621, numri i personave që e kanë humbur jetën është 147 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 843.

Emine Ismaili /SHENJA/