` . Vettel rikthen Ferrarin te fitorja. Hamilton, pas tij në Australi - TV-SHENJA

Vettel rikthen Ferrarin te fitorja. Hamilton, pas tij në Australi

Një fitore e madhe, një fitore e merituar dhe një rikthim i Vettelit e Ferrarit në majën e podiumit të një Çmimi të Madh të Formulës 1, e këtë e kanë bërë që në garën e parë të Australisë në Melbourne.

Gjermani 4 herë kampion i botës i “kokëkuqes” ka mposhtur skuderinë gjermane të Mercedesit dhe pilotët Hamilton e Bottas, respektivisht i dyti dhe i treti, falë shpejtësisë dhe strategjisë. Raikkonen, shoku i skuadrës te Ferrari ka përfunduar vetëm i katërti, përpara Max Verstappenit.

Një sukses i Vettelit që rikthen Ferrarin te fitorja pas më shumë se një viti e gjysmë mungesë, e që shkëndijën e parë e dha pikërisht në momentin kur Hamilton vendosi të kryente “pit stop”-in e parë, kohë kur nga skuderia iu tha gjermanit të vijonte edhe disa xhiro me gomat super të buta, në mënyrë që të përfitonte falë strategjisë në momentin që do të dilte nga ndalesa e tij e parë.

Pas një viti 2016 për t’u harruar, Ferrari arrin më në fund që të zbresë nga froni një skuadër që kishte monopolizuar jo vetëm titullin, por dy vendet më të larta të podiumeve në shumicën e garave. Një fitore grinte dhe taktike kjo e Sebastian, i cili duket se po i lëshon sfidën kampionëve të botës Mercedes, që në fakt këtë vit si rrallëherë janë pa kampionin e tyre në pistë, me Rosberg tashmë të tërhequr nga F1./TCH/

Postime të Ngjajshme