` . Vetëvendosje vendosi! – TV-SHENJA

Vetëvendosje vendosi!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

U çua i madh e i vogël ta citojnë demokracinë! Vlerat e saj dhe parimet, në një Lëvizje që kishte përbashkuar shumë koka jodjallëzore, në dukje, që ishin të bindura se “nuk duhet të ketë negociata, por vetëvendosje” . Por, diskutimi nuk po zhvillohet as për negociata dhe as për vetëvendosje. Ylberi është kapërcyer dhe të gjithë këta protagonistë kanë heshtur, nuk kanë identifikuar ndonjë fajtor ose tradhtar, shkatërrues ose destruktiv. Dhe, në momentin kur u arrit fitorja zgjedhore për zhvillimin e republikës edhe pa vetëvendosje, edhe pse nuk u mor pushteti, pasoi çarja. Çarje, jo pse u braktis “vetëvendosja” dhe lufta për pushtet filloi me 40 masat e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje për zhvillimin e forcimin e Republikës së Kosovës, por kur në masë të madhe u përqafua ky projekt i qeverisjes në zgjedhjet parlamentare dhe ishin në rrezik partitë politike që për vite të tëra krijuan koalicionin qeverisës. Në shikim të parë u perceptua si fillim i jetësimit të asaj që quhej “projekt i SHIK-ut” dhe duhej shkërmoqur, por për një kohë të shkurtër u kuptua se nuk kishim të bëjmë me një problem që është vetëm SHIK ose vetëm Dardan, Rrafsh i Dukagjinit ose Drenicë.

Çarja pas fitores

Ismail Qemali dështoj në zotimet e tij të para për krijimin e shtetit shqiptar, siç ishte projektuar në ditët e para. Lëvizjet Nacional Çlirimtare e Shqipërisë dhe Kosovës gjithashtu dështuan në zotimin e tyre për çlirimin e trojeve shqiptare nga okupatori fashist dhe zbatimin e së drejtës për vetëvendosje, siç ishte vendosur në Konferencën e Bujanit. Po kështu ndodhi edhe me UÇK-në, e cila betohej: “Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre…” dhe ndodhi ajo që ndodhi. Për të ardhur kështu te Lëvizja Vetëvendosje, e cila lindi si një lëvizje, derisa po zhvilloheshin negociatat për statusin përfundimtar, me një parim shumë të qartë: “Jo negociata, vetëvendosje”! Ishte ky viti 2005 dhe vetëm pas gjashtë vitesh kryetar i kësaj lëvizje do të zgjidhet Albin Kurti. Ideatori dhe frymëzuesi i kësaj lëvizje rreth vetës kishte në veçanti të rinj idealistë, që ishin të bindur se Kosovës po i bëhej një padrejtësi e madhe në përcaktimin e statusit dhe kjo sfidë kishte, sipas tyre, vetëm një zgjidhje, vetëvendosje.

Derisa klasa politike e Kosovës çdo ditë po rendiste gabimet në politikëbërje dhe shtetbërje, radhët e Lëvizjes Vetëvendosje po shtoheshin, edhe pse “të mëdhenjtë” po e shikonin me përçmim nga ballkoni i tyre politik. Por, askush nuk dyshonte se Lëvizja Vetëvendosje ishte më afër elitave politike nga e kaluara shqiptare sesa një elite moderne që po shihej në horizont. Që në ditët e saja të para politike ajo u sulmua si krijesë e SHIK-ut.

Është e vërtetët se biografia politike e Albin Kurtit funksionoi si mburojë e këtyre dyshimeve, por pranimi i bashkëjetesës politike të Kurtit bëri që afër të tij të militojnë si vetëvendosës, ashtu edhe republikanë, si partizanë ashtu edhe ballistë, si të rinj ashtu edhe pleq, si Dardanë ashtu edhe Goranë, me një të keqe të jashtëzakonshme, pa një ideologji të caktuar. Pikërisht kjo do t’i bie kokës krijuesit të kësaj Lëvizje, që sot mund të çuditet, por jo edhe të dorëzohet.“Pse”-të janë të shumta dhe e gjitha po ndodhë në opozitë, jo sipas traditës politike shqiptare, në pushtet!

Historia politike shqiptare vërtet është e hidhur për të gjitha elitat politike e intelektuale që ishin në pushtet, por zhvillimi i hovshëm i shtetit më të ri në Evropë, Kosovë, bëri që edhe në opozitë, pa u shijuar pushteti fare, lidershipi të mos jetë i qëndrueshëm dhe të shkatërrojë një punë aq të madhe që është bërë në shtetndërtim. Madje, edhe në momentin kur marrja e pushtetit ishte shumë afër.

Po, është Lëvizja Vetëvendosje e cila në momentin kur u bë partia me numrin më të madh të votave të besuara në Kosovë pësoi një lëvizje të fuqishme të pllakave të saj tektonike, që nuk kishte ndodhë as atëherë kur u la anash vetëvendosja dhe u dakordua një plan masash nga Lëvizja Vetëvendosje për zhvillimin e forcimin e Republikës së Kosovës. Nga po ky lidership, të cilin nuk e lidhte asgjë tjetër, përveç se parimi “Jo negociata, vetëvendosje!”.

Vërtetë Vetëvendosje ishte befasia më e madhe e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 në Kosovë, madje edhe në kohën kur zgjedhjet i braktisin rreth 60 për qind e popullsisë. Shqetësimin nuk e shfaqën vetëm ata që ishin në garën për pushtet, por edhe ata që ishin zotuar për një aleancë qeverisëse. Para këtij realiteti, Vetëvendosje, si partia e parë fituese, kishte tashmë më shumë detyrime për çuarjen e proceseve përpara, duke respektuar edhe vullnetin e popullit. Por, legjendat urbane nuk ishin kot. Ato u jetësuan dhe kësaj Lëvizje nuk iu mundësua ta marrë pushtetin, duke iu mbyllur të gjitha rrugët. Por, e keqja e Vetëvendosjes nuk përfundon këtu! Përveç pushtetit, ajo nuk fitoi as qetësinë e duhur në politikëbërjen e mëtejme opozitare, ndonëse fuqia e saj në rritje ishte për t’u admiruar. Fatkeqësisht, dyfishimi i mandateve të deputetëve nuk u reflektua në jetën parlamentare dhe as atë politike në tërësi. Çarja pasoi pikërisht kur u konstatua forca e saj dhe, papritmas, partia e cila ishte në prag të marrjes së pushtetit, na del të jetë me shumë defekte. Aq shumë, sa edhe qeverisja model e saj në Prishtinë të na shpif drejtoritë dhe lejet e ndërtimit, udhëtimet zyrtare dhe jozyrtare, Devollt’ dhe jahtet e tyre, protestat dhe arrestimet e pakuptimta të pushtetit, gazin lotsjellës dhe gazin e botës që e prodhoi politika e Kosovës.

Dhe, për fat të keq, arsyeja nuk ishte madhore ose të paktën siç u shprehën të pakënaqurit në Lëvizjen Vetëvendosje. Lum akuzash dhe dorëheqjesh për ato që ishin bërë dhe po bëhen në parti, me një iritim të vetëm: pse Albin Kurti po kandidon për kryetar?! Kjo mbante shumë erë, aq shumë sa nuk ishte vetëm SHIK dhe nuk ishte fjala vetëm për një kandidat për kryetar.

Jo vetëm SHIK

Në pamje të parë, zhvillimet politike në Lëvizjen Vetëvendosje mund të ndërlidhen me legjendën urbane të menaxhimit nga ana e SHIK-ut dhe hijet e dyshimit mbi personat e afërt me kreun e këtij shërbimi. Por, mënyra se si u trajtuan zgjedhjet e brendshme në këtë parti dhe epilogu i këtyre zgjedhjeve dëshmojnë se pakënaqësia është shumë më komplekse. Aq më shumë kur kolltukun e kryetarit e rivalizonin në mënyrë të padinjitetshme ata që krijuan dhe ideuan jo vetëm fitoren, por edhe të gjitha defektet politike në parti. Ata që gëlltitën dhe mbështetën edhe kryetarin e partisë, që shkaktoi humbjen e madhe në zgjedhjet lokale, pas fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Por, çfarë na dëshmoi rezultati i zgjedhjeve të 21 janarit në Lëvizjen Vetëvendosje. Albin Kurti u zgjodh kryetar i Vetëvendosjes me mbi 10 mijë vota ose rreth 99 për qind të votave të vlefshme, më saktë 33.83 për qind e votave të anëtarësisë.

Të pakënaqurit, edhe pse nuk ishin asgjëkundi më 21 janar për të treguar se sa nuk e duan Albin Kurtin, i përqeshën shifrat e këtyre zgjedhjeve, duke harruar se vazhdojnë të jenë pjesë e këtij trupi politik dhe çfarë ka për t’u përqeshur.

Të pakënaqurit në Vetëvendosje e përqeshin kryetarin e zgjedhur me 33.83 për qind të votave të anëtarësisë, por harrojnë se “lideri i tyre”, Visar Ymeri, që angazhohet për ta bërë kryetar  Dardan Molliqajn, ishte bërë kryetar  në vitin 2015 me 27.43  për qind të votave të anëtarësisë dhe, siç e do zakoni shqiptar, me rreth 98 për qind të votave të vlefshme.

Të pakënaqurit iu referuan edhe një absurditeti zgjedhor, duke iu referuar 200 mijë votave që kishin marrë në zgjedhje në të cilat ishin fitues absolutë. Duke harruar se Lëvizja Vetëvendosje  ka 31 mijë e 350 anëtarë me të drejtë vote dhe Kosova ka më shumë se 1 milion votues të pakënaqur me Qeverinë, kapitalizojnë të gjitha ata votues të guximshëm që votuan kundër Hashimit,  Kadrisë dhe Ramushit dhe përqafuan atë Vetëvendosje, që e dinin si të pastër!

Dhe në fund, të pakënaqurit që thirren aq shumë në demokraci, kishin edhe një mundësi të tregojnë se “sa nuk duhet në realitet Albin Kurti”. 65 vota kundër Kurtit për kryetar të partisë, 60 abstenime dhe 28 vota të pavlefshme nuk tregojnë një zë serioz kundër Albin Kurtit, por konfirmohet se gjithmonë është vetëm një e vërtetë. E, çuditërisht, kjo e vërtetë korrespondon, ashtu siç e përkufizon të vërtetën edhe filozofi i njohur gjerman, Arthur Schopenhauer: ”Çdo e vërtetë kalon nëpër tri faza. Në fillim e përqeshin, më pas e kundërshtojnë dhunshëm, ndërsa në fund të gjithë e pranojnë si dëshmi për veten e tyre.”