` . Vetëvendosje e cilëson të pakuptimtë ftesën e Veselit për takim partish – TV-SHENJA

Vetëvendosje e cilëson të pakuptimtë ftesën e Veselit për takim partish

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar udhëheqësit e të gjitha partive politike parlamentare në një takim të përbashkët, me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën e dialogut Kosovë-Serbi.

Veseli ka propozuar që takimi i parë të mbahet nesër në orën 10:00 në Kuvendin e Kosovës. “Spektri politik kosovar, të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë, duhet të jetë i konsoliduar dhe i përgatitur. Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta ketë rolin kryesor të mbikëqyrjes dhe vendimmarrjes në këtë proces të rëndësishëm”, thuhet në ftesën e kryekuvendarit .

Por, në këtë takim do të jenë të pranishme vetëm partitë e koalicionit qeverisës dhe jo edhe ato të opozitës.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë për KTV-në se ftesa e Veselit është e pakuptimtë, meqë nesër në të njëjtën kohë është edhe seanca plenare ku do të ketë debat parlamentar për procesin e dialogut me Serbinë.

“Nuk besoj që do të marrim pjesë. Ne do të kemi mbledhjen e grupit parlamentar ku do të diskutohet edhe për këtë ftesë, por e konsiderojmë të panevojshme të marrim pjesë, me faktin se tashmë është Kuvendi që do të ketë një debat për dialogun”, është shprehur Haxhiu.

Edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë për Koha.net se ky takim i thirrur është veçse improvizim dhe se LDK-ja nuk do të shkojë. Ndërsa, deputeti tjetër i kësaj partie, Haxhi Avdyli, ka thënë se Kadri Veseli bashkë me Hashim Thaçin, më 2017-n, pa paralajmërim, e çuan vendin në zgjedhje dhe dërguan LDK-në në opozitë, duke thyer të gjitha marrëveshjet të shkruara e të pashkruara. “Ata e deshën LDK-në në opozitë, prandaj lëreni LDK-në të luajë rolin e saj opozitar. Koha është për tryezë për zgjedhje e jo për zgjidhje”, ka shkruar Avdyli në Facebook.